Ndërlidhjet

BPV në Kosovë mbi 5 miliardë euro


Bruto Produkti Vendor (BPV) për vitin 2013, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara të premten, ka arritur në 5 miliardë e 326 milionë euro, që krahasuar me vitin 2008, është rritur për mbi 2 miliardë euro.

Të dhënat e Agjencisë të cilat përfshijnë periudhën 2008- 2013 tregojnë se gjatë kësaj periudhe ka pasur zhvillime të ndryshme rreth BPV-së.

Në vitin 2008 bruto produkti vendor për kokë banori ka qenë 2 mije e 258 euro, derisa në vitin 2013 është 2 mijë e 935 euro. Ndërkaq, norma reale e rritjes së BPV në Kosovë ishte 3.4 për qind në vitin 2013.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi ka bërë të ditur se publikimi i këtyre të dhëne është mjaft i rëndësishëm.

“BPV është përllogaritur në bazë të parimeve metodologjike të sistemit evropian të llogarive dhe sistemit të llogarive kombëtare duke shfrytëzuar burimet e të dhënave administruese ekzistuese si dhe anketat statistikore zyrtare të cilat i ka realizuar Agjencia e Statistikave të Kosovë”, theksoi ai.

Bruto Produkti Vendor është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në Sistemin e Llogarive Kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.

Bruto Produktit Vendor është llogaritur, sipas tri elementeve, qasja e prodhimit, qasja e shpenzimeve dhe qasja e të ardhurave në Republikën e Kosovës.

Drejtori i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, Ilir Berisha, theksoi se rritja reale e Bruto Produktit Vendor për vitin 2013 u ndikua nga rritja e shpenzimeve të konsumi final i ekonomive shtëpiake, rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve dhe rënia e importit të mallrave dhe shërbimeve.

“Norma e rritjes së BPV në vitin 2013 ishte 3.4 për qind. Nëse krahasohet me vendet e rajonit, Kosova kishte normën e rritjes më të lartë. Vendi që e përcjell Kosovën ishte Maqedoni me 2.9 për qind dhe Bosnje e Hercegovina dhe Serbia me 2.5 për qind, ndërsa vendet tjera kanë normë edhe më të ulët të rritjes krahasuar me Kosovën”, shton Berisha.

Po të shikohet në struktura e BPV pjesëmarrjen më të madhe e kanë shpenzimet e konsumit të ekonomive shtëpiake, shpenzimet e qeverisë dhe formimi i bruto kapitalit.

Të gjitha këto shpenzime të bëra në vitin 2013, sipas Berishës kanë shënuar rënie, krahasuar me vitin 2012.

Për të dhënat e Bruto Produktit Vendor të publikuara nga Agjencia e Statistikave ka folur për Radion Evropa e Lirë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

“Një shtet i cili i ka të gjitha këto potenciale, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin e resurseve humane, por edhe në një pran kaq të madh të ndërkombëtareve në Kosovë, nuk ka arsye që të jetë i kënaqur askush me një bruto produkt të tillë. E tëra kjo e rëndit Kosovën edhe më tutej në një rend me shtetet më të varfra”, thekson Gërxhaliu.

Këto të dhëna, shton Gëxhaliu duhet t'i obligojnë institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi që të punojnë më shumë në forcimin dhe zhvillimin ekonomik.

Kosova sipas tij, mund të ketë rritje të BPV-së nëse do të ketë sundim të rendit dhe ligjit, pasi që në një shtet ku sundon ligj, siç theksoi ai, do të ketë edhe investime ndërkombëtare, do të ketë konkurrencë të mirëfilltë ekonomike dhe mbi të gjitha do të ketë mbështetje për ndërmarrësin vendore në sektorin prodhues.

“Ajo çka është shqetësuese është fakti se nuk duhet ta marrim vit bazik vitin 2013 pasi që indikatorët dhe parametrat janë më shumë shqetësues në vitin 2014. Prandaj është koha që për ekonominë të bëhet më shumë dhe të kontribuohet më shumë”, shton Gërxhaliu.

XS
SM
MD
LG