Ndërlidhjet

Edhe pas shtyrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për 18 shtator, subjektet politike që përfaqësojnë bashkësitë pakicë në Kuvendin e Kosovës, ende nuk janë përcaktuar ndërmjet dy forcave, Partisë Demokratike, në njërën anë, dhe bllokut të përbërë nga LDK, AAK, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, që pretendojnë pozitën e kryeparlamentarit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Deri në arritjen e marrëveshjes ndërmjet bllokut LAN dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Lista Serbe, e cila ka 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, kishte dhënë sinjale të një partneriteti të mundshëm me bllokun, por bashkimi i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë bllok, si dhe qasja e saj ndaj dialogut Kosovë- Serbi dhe marrëveshjes së Brukselit, ka bërë që Lista Serbe të marrë pozicion neutral, përkatësisht, të kërkojë konsultime shtesë me autoritetet në Beograd dhe partitë politike në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, në kuadër të parimeve për koalicion me bllokun LAN, kishte futur edhe verifikimin e përputhjes së marrëveshjes së Brukselit me Kushtetutën e Kosovës, përmes, siç është thënë, “mekanizmave të Komisionit të Venedikut dhe mekanizmave të tjerë”.

Kryetari i Listës Serbe, Dragan Jabllanoviq, thotë se për subjektin që ai përfaqëson, është i papranueshëm revidimi i marrëveshjes së Brukselit. Ai shton se megjithatë ende nuk përjashtohet partneriteti i Listës Serbe me bllokun VLAN.

“Ne po presim sqarimin rreth asaj se çfarë nënkupton qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me revidimin e marrëveshjes. Ne duam t’i dimë detajet. Për ne është i papranueshëm revidimi i marrëveshjes. Ne kemi dalë në zgjedhje lokale dhe parlamentare, vetëm mbi bazat, për të cilat është arritur pajtimi në Bruksel”, thotë Jabllanoviq.

Mahir Yagxhilar, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, e cila është pjesë e grupit parlamentar “6 plus”, thekson për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i këtij grupi nuk ka ndryshuar dhe se për zgjedhjen e kryeparlamentarit do ta përkrahin kandidatin e parë, të cilin, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet ta kandidojë Partia Demokratike.

Në qoftë se kjo situatë nuk tejkalohet, sipas tij, grupi “6 plus” do të jetë në kontakt me të gjitha grupet parlamentare për të gjetur një zgjidhje për krijimin e institucioneve.

“Kemi deklaruar se ne dëshirojmë të jemi pjesë e institucioneve dhe dëshirojmë të kemi një rol konstruktiv. Ne besojmë se pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, do të sqarohet situata dhe nuk kemi ndonjë ‘vijë të kuqe’ që të mos marrim pjesë, qoftë me PDK, qoftë me bllokun (VLAN). Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë më tutje edhe me PDK, por jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me bllokun”, shprehet Yagxhilar.

Rasim Demiri, përfaqësues boshnjak në Kuvendin e Kosovës, thotë se subjekti që ai drejton “Vakat”, ka biseduar me të dyja palët, me PDK-në dhe me bllokun VLAN, dhe ua ka bërë të qartë të dyja palëve se cili do të jetë qëndrimi i këtij subjekti në seancën e Kuvendit të Kosovës, të caktuar për 18 shtator.

“Në xhiron e parë do të votojmë për kandidatin e PDK-së. Në qoftë se ndodh që kandidati i PDK-së nuk merr numër të mjaftueshëm të votave, atëherë ne, në xhiron e dytë - nëse arrijmë deri aty, sepse siç qëndrojnë gjërat dhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është vështirë që t’i jepet hapësira palës tjetër që ta propozojë kandidatin e saj - sidoqoftë, nëse arrijmë deri aty, ne do ta votojmë kandidatin e bllokut opozitar”, thekson Demiri.

Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, me 18 shtator, pritet të definojë jo vetëm pozicionimin e subjekteve që përfaqësojnë bashkësitë pakicë në Kuvend, por edhe zhvillimet e mëtutjeshme për konstituimin e tërësishëm të Kuvendit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë së re.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG