Ndërlidhjet

Kerry në Turqi, kërkon mbështetje për koalicionin anti-IS


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ankara, 12 shtator 2014.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ankara, 12 shtator 2014.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u ka bërë thirrje udhëheqësve turq që të mbështesin aksionet ushtarake kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Irak dhe Siri.

Vizita e Kerryt në Ankara vjen pasi Turqia nuk ka lejuar përdorimin e bazave të saj ajrore për të sulmuar grupin xhihadist.

Kerry ka takuar të premten presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministrin Ahmet Davutoglu.

Pas bisedimeve, zyra e Erdoganit ka lëshuar një deklaratë, sipas së cilës, “të dyja vendet janë zotuar se do të vazhdojnë të luftojnë kundër organizatave terroriste, ashtu si edhe në të kaluarën”.

Po sipas kësaj deklarate, Turqia do të vazhdojë të ndajë informacione të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara, si dhe të sigurojë mbështetje logjistike për opozitën siriane dhe ndihma humanitare për sirianët e prekur nga konflikti.

Të mërkurën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka zbuluar planet për intensifikimin e fushatës kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Vendet arabe janë pajtuar që të ndihmojnë SHBA-në në luftën e saj kundër këtij grupi.

CIA ka thënë se Shteti Islamik mund të ketë deri në 31,000 luftëtarë.

XS
SM
MD
LG