Ndërlidhjet

Është për keqardhje që liderët e partive nuk janë të vetëdijshëm, ashtu siç nuk kanë qenë, për rolin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa kanë ndikuar në proceset ekonomike në Kosovë, vonesat për formimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të vendit, të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të qershorit?

ARIAN ZEKA: Përgjigja më e mirë në këtë pyetje mund të merret nëse i shohim të dhënat e fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, të cilat sugjerojnë se ka pasur një shmangie nga targeti i përcaktuar për mbledhjen e të hyrave për vitin 2014.

Diçka që tashmë e kemi paralajmëruar edhe ne, që me rënien e aktiviteteve afariste të bizneseve kosovare, do të ketë rënie të qarkullimit dhe do të ketë rënie edhe të pagesës, që natyrisht do të përkthehet në më pak të hyra për buxhetin e Kosovës.

Kjo është fatkeqësi. Në momentin kur Kosova ka nevojë që të bëjë investime në infrastrukturë dhe në gjithçka tjetër, buxheti i Kosovës do të përballet me probleme në mbledhjen e të hyrave.

Përgjigjet tjera që ne i kemi marrë nga ana e bizneseve, me të cilat jemi në kontakt të përditshëm, kanë konfirmuar se kanë pezulluar aktivitetet e tyre investuese.

Kjo është e ditur që politika është faktor shumë i rëndësishëm në mjedisin e jashtëm të të bërit biznes dhe si të tillë, kanë një rol mjaft të rëndësishëm para marrjes së vendimeve për investime.

Diçka e tilla na është konfirmuar edhe nga ana e institucioneve financiare në Kosovë, të cilët kanë thënë se kërkesat për kredimarrje apo financim nga ana e bankave, kanë shënuar rënie, meqenëse bizneset janë në pritje të funksionalizimit më të shpejtë të institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.

Është fatkeqësi e tërë kjo situatë, meqenëse në vitin kur është proklamuar më së shumti edhe kur janë bërë premtimet më të mëdha për zhvillim ekonomik më të shpejtë, ne përballemi me këtë situatë.

Tashmë kemi hyrë në muajin e katërt nga mbajtja e zgjedhjeve dhe nuk kemi institucione, gjitha ato iniciativa të mira që janë paralajmëruar apo janë nisur nga ana e institucioneve ekzistuese, kanë mbetur peng i ndryshimeve legjislative, të cilat duhet të aprovohen nga ana e Kuvendit, që tani është jofunksional.

RADIO EVROPA E LIRË

Pezullimi i aktiviteteve ekonomike nga ana e bizneseve vendore, sigurisht do të ndikojë edhe në Bruto Produktin Vendor. A do të mund të realizohen parashikimet e autoriteteve të Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë për rritjen ekonomike për këtë vit dhe sa mund të jetë ajo?

ARIAN ZEKA: Nuk mund të japim shifër konkrete, por gjithsesi jo brenda parashikimeve që janë bërë nga ana e qeverisë, qoftë nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, të cilat monitorojnë aktivitetet e institucioneve tona financiare.

E tërë kjo ndoshta na bën të tingëllojmë shumë pesimistë, por situata është për një pesimizëm. Unë shpresoj që rënia e aktiviteteve afariste të bizneseve nuk do t’i detyrojë ata që të shkurtojnë vende të punës, por nëse vazhdon ky trend i mosfunksionimit të institucioneve, nëse vazhdon bllokada momentale, dhe nëse vazhdon trendi i mosinvestimeve kapitale nga ana e Qeverisë, duke e ditur që Qeveria është një nga investitorët më të mëdhenj në vend, atëherë e tërë kjo situatë do të ndikojë edhe në rrjedhën e parasë së gatshme të bizneseve.

RADIO EVROPA E LIRË

Si Odë Ekonomike Amerikane sigurisht se keni pasur takime me investitorë ndërkombëtarë, në veçanti atyre amerikanë, të cilët janë interesuar që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë. Cili është disponimi i tyre për të investuar në Kosovë?

ARIAN ZEKA: Realisht, për dikë mund të duket e pakuptimtë se pse vendimet për investime duhet të varen nga situata politike. Ju e përmendët se ne kemi mundur të kemi takime me investitorët e huaj, por që realisht këto aktivitete janë reduktuar kohëve të fundit. Kjo situatë ka ndikuar që edhe ne të mos organizojmë takime apo konferenca ku prezantohen mundësitë e investimit në Kosovë, për shkak se kemi pasur drojën që njëra prej pyetjeve që do të pasojë nga ana e investitorëve potencialë është që nuk kemi një qeverisje legjitime në Kosovë, e cila mund të marrë vendime legjitime. Në këtë rast ata do të kërkonin mbrojte që mund t’ju jepet nëse bëjnë investime në Kosovë. Nëse investojnë tani në ,Kosovë ata kërkojnë që të mos ndryshojë diçka në rast se dikush tjetër vjen në pushtet.

Në situatën, në të cilën gjendemi, kemi edhe problemet e bordeve të ndërmarrjeve publike, të cilat nuk mund të funksionalizohen pasi që anëtarët e rinj përcaktohen nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Kemi parë tashmë edhe një sërë vështirësish që janë paraqitur në terren, si pasojë e mosfunksionimit të institucioneve, siç është Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Është për keqardhje që liderët e partive politike nuk janë të vetëdijshëm ashtu, siç edhe nuk kanë qenë në të kaluarën, për rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Edhe tani, me këtë situatë të krijuar, nuk janë të vetëdijshëm për problemet që ata po i shkaktojnë vendit për interesa që kryekëput janë partiake.

RADIO EVROPA E LIRË

Çfarë do të duhej të bënte Kosova që t’i tërheqë investimet ndërkombëtare?

ARIAN ZEKA: Për momentin, është më se e domosdoshme që të kemi institucione funksionale, që do të duhej të vazhdonin procesin e atyre reformave të mira që janë nisur nga qeverisja paraprake. Unë e përkrah idenë e një vijimësie qeverisëse, që do të thotë se ato vendime të mira që janë marrë nga institucionet në qeverisjen e kaluar, pavarësisht nga cilat forca politike do të duhej vazhdojnë si të tilla, pasi që kemi qenë në rrugë e sipër për të zënë hapin e vendeve të rajonit për të vendosur Kosovën, më në fund, në hartën e investitorëve potencialë.

Ka pasur vendime të mira, siç ka qenë vendimi për themelimin e zonave ekonomike që domosdo mbesin peng i krijimit të institucioneve të reja, të cilat do të duhej që sa më shpejt që është e mundur të përcaktonin kriteret për kompanitë që do të vendosen në këto zona ekonomike.

Edhe funksionalizimi i plotë zonave ekonomike duhet t’i shtrohet një sërë ndryshimeve ligjore, të cilat presin funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG