Ndërlidhjet

logo-print

Koalicioni kundër IS-it: Kush, çfarë mund të bëjë?


Derisa Uashingtoni zotohet se do të krijojë një koalicion të gjerë për të luftuar militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, konturat e aleancës së re kanë nisur të marrin formë.

Sfidë ka qenë gjetja e mbështetjes te partnerët arabë. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë më 11 shtator se dhjetë shtete arabe kanë rënë dakord që të japin kontributin e tyre në luftë.

Ato janë Iraku, Egjipti, Jordania, Libani dhe gjashtë shtete të Gjirit: Arabia Saudite, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Omani dhe Katari.

“Jam i kënaqur që ky do të jetë një koalicion i gjerë me shtetet arabe, evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera që kontribuojnë në çdo aspekt”, ka thënë Kerry.

Arabia Saudite do të merrte rolin kyç në mbështetjen e ofensivës kundër grupit ekstremist. Derisa Uashingtoni kryen sulme ajrore, por nuk ka vendosur trupa në terren, Riadi pritet të ngrejë kampe të trajnimit për grupet e moderuara rebele të Sirisë.

Uashingtoni po ashtu kërkon nga shtetet arabe që të dobësojnë financiarisht militantët e Shtetit Islamik. Kjo nënkupton goditje ndaj fondacioneve bamirëse dhe donatorëve privatë, për të siguruar se ata nuk ndihmojnë financimin e xhihadistëve.

Por, këta të fundit tashmë kontrollojnë edhe disa fusha të naftës dhe gjenerojnë të ardhura të mëdha.

Luay Al-Khatteeb, studiues në Qendrën Brookings në Doha, llogarit se grupi aktualisht prodhon rreth 25,000 fuçi nafte në ditë, duke fituar rreth 1.2 milion dollarë në ditë. Nafta thuhet se shitet në mënyrë klandestine për blerësit në Irak dhe Turqi.

Para se grupi të pasurohej me naftë, ai është financuar nga sponsorë të shteteve të Gjirit.

Një tjetër partner i rëndësishëm rajonal në koalicion është Turqia. Bashkëpunimi i saj është i nevojshëm për të ndaluar rrjedhën e luftëtarëve të huaj në dhe jashtë Sirisë. Një gjë të tillë, Ankaraja deri më tash e ka injoruar, sepse lobon për rrëzimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Mbyllja e kufijve turq është thelbësore për t’iu dhënë fund rekrutimeve të reja për Shtetin Islamik. Më 12 shtator, një zëdhënës i CIA-s ka thënë se grupi ka deri në 31,000 luftëtarë në Siri dhe Irak dhe se gjysma e tyre janë të huaj.

Në anën tjetër, Ankaraja nuk e ka lejuar Uashingtonin që të përdorë bazat ajrore turke për të sulmuar grupin xhihadist, i cili vazhdon të mbajë peng 49 shtetas turq në Mosul, qysh në muajin qershor.

Një shtet rajonal që Uashingtoni e ka përjashtuar nga koalicioni i gjerë është Irani. Më 12 shtator, Kerry ka thënë se do të ishte “e papërshtatshme” që Irani t’i bashkohet koalicionit, sepse Teherani mbështet Assadin, ndërsa Uashingtoni dhe aleatët e tij duan që Assadi të largohet nga pushteti. SHBA-ja ka përjashtuar po ashtu bashkëpunimin me forcat e Assadit që kundërshtojnë militantët e Shtetit Islamik.

Rusia, po ashtu aleate e Assadit, ka paralajmëruar se sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër forcave islamike në Siri do të ishin të paligjshme pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Disa vende të BE-së pritet t’i bashkohen koalicionit në ditët e ardhshme. Franca tashmë ka ofruar mbështetje ushtarake për Bagdadin dhe ka thënë se është duke shqyrtuar sulmet ajrore. Britania është deklaruar ngjashëm.

Gjermania ka përjashtuar pjesëmarrjen në sulmet ajrore, por është duke dërguar armë për forcat kurde të Irakut. Italia po ashtu është duke dërguar armë në Irak.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë në aleancë, por mbetet e paqartë nëse asaj do t’i bashkohen disa shtete të vogla, që u janë bashkuar koalicioneve të udhëhequra nga SHBA-ja në të kaluarën.

Uashingtoni ka mbledhur një koalicion prej 39 shtetesh për Luftën e Gjirit, më 1990-91, për të detyruar presidentin e Irakut, Saddam Hussein, që të largohet nga Kuvajti, dhe një koalicion prej 30 shtetesh për të rrëzuar Saddamin nga pushteti në Irak, më 2003.(v.tela)

XS
SM
MD
LG