Ndërlidhjet

Një grup studentësh kërkojnë dorëheqjen e rektorit


Një numër i studentëve të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" në orët e hershme të mëngjesit kishin bllokuar hyrjen e Rektoratit, duke kërkuar në këtë mënyrë shkarkimin e rektorit të ri, Ramadan Zejnullahu, pasi sipas tyre, zgjedhja e tij është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

Njëri nga organizatorët e protestës, Astrit Dedaj, tha se zgjedhja e rektorit është konflikt interesi dhe për këtë arsye duhet të shkarkohet.

Dedaj, ndërkaq tha se nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre që kanë dorëzuar në Këshillin Drejtues të këtij institucioni.

“Këtu është duke ndodhur diçka, pse nuk po marrin as një hap, as Këshilli Drejtues e as organet e tjera. Kemi dorëzuar kërkesën me shkrim, nuk është marrë parasysh. Kemi thirrur Bordin dhe vazhdojnë të thërrasim, që të mbajë mbledh dhe që ta shkarkojë. Derisa nuk i ka 2/3 e votave nuk është i zgjedhur”, tha Dedaj.

Ditë më parë një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë kërkuar nga Këshilli Drejtues i Universitetit, që të anulojë vendimin për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës.

Zgjedhja e rektorit të ri, sipas tyre, korrespondon me shkelje të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, në fillim të këtij muaji ka zgjedhur rektor të Universitetit profesorin e matematikës Ramadan Zejnullahu.

Por, rektori para protestuesve, duke përjashtuar mundësinë e ofrimit të dorëheqjes, ka ftuar studentët që të paraqesin kërkesat dhe problemet e tyre brenda në rektorat.

"Ju ftoj që një grup i studentëve ose gjysma të hyni brenda dhe të bisedojmë për çdo temë, asnjë temë nuk është e pamundur të bisedohet. Për çështjet që i janë adresuar ligjit, unë ju premtoj se do të reflektoj në momentin kur vjen rezultati dhe nuk do të ankohem", tha Zejnullahu.

Ndërsa studentët e pyetën:

"Po për punimet?"

Zejnullahu u përgjigj duke thënë "Për këtë jeni shumë ulët ju dhe ata që iu kanë thënë për t’i vlerësuar”.

Sidoqoftë, rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu ka premtuar se do të mundojë të largojë ndikimet politike dhe klanore në këtë institucion të lartë arsimor, do të luftojë korrupsionin dhe do të ndalojë angazhimin e personelit akademik jashtë universitetit.

Mandati i Ramadan Zejnullahut në krye të Universitetit të Prishtinës zgjat deri më 30 shtator të vitit 2016, pasi që gjysma e mandatit është konsumuar nga rektorët e mëparshëm, Ibrahim Gashi dhe Anton Berishaj.

Ndryshe, Zyra për informim e Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka njoftuar se protesta e filluar nga rreth 30 studentë para objektit të Rektoratit të Prishtinës ka përfunduar e qetë në mesditë.

XS
SM
MD
LG