Ndërlidhjet

logo-print

Analistët: Ndërkombëtarët më aktivë pas seancës së 18 shtatorit


Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që është caktuar për datën 18 shtator, mund të dëshmojë përfundimisht nëse Kosova do t’ia dalë që pa ndërmjetësimin ndërkombëtar të tejkalojë krizën për formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, vlerësojnë analistët politikë.

Sipas tyre, faktori ndërkombëtar deri më tani kryesisht ka qëndruar në pozitën e spektatorit dhe ofrimit të mesazheve politike.

Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike mendon se komuniteti ndërkombëtar në disa raste i ka rikujtuar partitë politike me disa parime mbi bazën e të cilave Kosova do të duhej t’i ndërtonte institucionet.

“Ndërhyrja e ndërkombëtarëve në këtë rast do të ishte një dështim për të gjitha partitë politike, e sidomos për liderët institucional dhe do të tregonte në masë të madhe paaftësinë e liderëve politik në Kosovë që të gjejnë zgjidhje për çështjet që janë shumë të qarta, por për shkak të interesave personale bëhen çështje që shndërrohen në kriza politike dhe institucionale”, ka thënë Doli, për Radion Evropa e Lirë.

Për bllokadën e krijuar në procesin e formimit të institucioneve të reja, Dren Doli e bën përgjegjëse Partinë Demokratike të Kosovës që nuk po e përgatit tranzicionin te blloku që ka krijuar shumicën pas zgjedhjeve.

Ndërkaq në lidhje me marrëveshjen për koalicion që Blloku LDK, AAK dhe Nisma kanë nënshkruar me Lëvizjen Vetëvendosje, ku mes tjerash kërkohet edhe rishikimi i procesit të dialogut më Serbinë dhe marrëveshjeve të arritura, Doli beson se kjo pikë nuk bie ndesh me parimet ndërkombëtare, përderisa Vetëvendosje shpreh gatishmëri për t’i udhëhequr bisedimet.

“Besoj që vet fakti që Vetëvendosje ka vendosur që të jetë udhëheqëse apo të marr përsipër barrën e udhëheqjes së dialogut me Serbinë i jep një sinjal pozitiv bashkësisë ndërkombëtare se vullneti i saj nuk është që të ndal dialogun dhe as t’i kthej prapa të gjitha ato marrëveshje që janë arritur me Serbinë”, ka deklaruar Doli.

Ndërkohë, analisti Blerim Burjani mendon se mungesa e dialogut politik në Kosovë është një nga faktorët që po e mbanë peng formimin e institucioneve të reja.

Para se të shkohet te pika kryesore e zgjedhjes së qeverisë, Kosova ende ka mbetur në stadin fillestar, atit ë konstituimit të Kuvendit.

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës, sipas Burjanit, thirret në të drejtën Kushtetuese që si parti fituese të merr nën drejtim postin e kryetarit të Kuvendit, por nuk e ka mbështetjen e nevojshme në Kuvend, në anën tjetër blloku opozitar i ka numrat, por mund të ketë telashe me procedurat dhe dispozitat kushtetuese nëse sërish provon që të merr vet postin e kryekuvendarit.

Në një situatë të tillë, sipas tij, lidershipit i takon që të ndërtojë një strategji dalëse nga kriza.

“Asnjëra palë, pozita e as opozita nuk janë takuar të bisedojnë se çka më tutje. Në qoftë se nuk ka një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, atëherë pse nuk ulen bashkë për të gjetur një marrëveshje për zgjedhje ët parakohshme. Shteti dhe institucionet nuk mund të mbeten peng sepse me kalimin e kohës, anarkia po thellohet”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Blerim Burjani.

Duke iu referuar rolit të faktorit ndërkombëtar në këtë proces, Blerim Burjani thotë se ndërkombëtarët deri më tani kanë pritur të shohin një zgjidhje nga spektri vendor.

Por, bazuar në ngërçet e mëhershme politike, ai nuk e përjashton as mundësinë që në fund edhe faktori ndërkombëtar të jetë më aktiv për të ndihmuar tejkalimin e kësaj bllokade.

“Mendoj që kjo rrugë është e pashpresë pa një ndërhyrje të butë të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo ndërhyrje e butë nënkupton që të paktën të ndërmjetësohet që palët të bëhen bashkë dhe të bisedojnë për ngërçin dhe zgjidhjet e mundshme. Pra nuk shoh ndonjë zgjidhje pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar”, ka theksuar Burjani.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në deklaratat e tyre kryesisht kanë përmendur tri parime të cilat faktori vendor do të duhet t’i respektonte gjatë formimit të institucioneve të reja.

Këto parime janë që institucionet të ndërtohen mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve, që posti i presidentes Atifete Jahjaga të mos jetë pjesë e pazareve politike për formimin e institucioneve të reja dhe që qeveria e re të vazhdojë dialogun me Beogradin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG