Ndërlidhjet

Hetime për krim të organizuar në AKP dhe lokacione tjera


Për shkak të dyshimeve për krim të organizuar, shpëlarje parash, keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit, lëshim i vendimeve të paligjshme gjyqësore, drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar të martën një operacion policor me ç‘rast ka arrestuar një person të dyshuar dhe ka kryer bastisje në tetë lokacione të ndryshme.

Bastisjet janë kryer në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit, në disa objekte private dhe në dy zyre të departamentit ligjor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nën dyshimin e bazuar se gjashtë persona kanë kryer vepra penale.

Përmes një komunikate për media, policia njofton se “njësitet policore gjatë realizmit të bastisjeve në cilësi të provave materiale kanë konfiskuar: Kompjuter, USB, Pasaporta, CD, Dokumentacion i cili është i dyshuar për pronat të cilat janë nën hetim, Dokumentacione të transfereve bankare si dhe një revole”.

Policia njofton po ashtu se të gjitha veprimet policore janë kryer dhe udhëhequr nga një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe me vendim të prokurorit, një person i dyshuar me inicialet (D.E.) është dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi që te ai është konfiskuar një armë.

Këtë operacion e ka konfirmuar edhe Misioni i Bashkimit Evropian EULEX.

“Operacioni i kërkimit që është kryer sot nga policia e Kosovës është bërë në kuadër të hetimeve nga Prokurorisë Speciale të Kosovë”, tha zëdhënësja e këtij misioni Dragana Nikoliq-Solomon.

Mediat vendore kanë raportuar se janë arrestuar dy punonjës ligjor në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, por zëdhënësi i kësaj agjencie Ylli Kaloshi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka mohuar njoftimet e mediave se ka zyrtarë të agjencisë të cilët janë arrestuar.

Ju konfirmojmë se deri më tani nuk ka ndonjë zyrtar të arrestuar në AKP. Zyrtarët të cileve u është përmendur emri në media gjatë paraditës nga burimet e tyre, mund të themi se janë në vendet e tyre të punës dhe nuk janë të ndaluar apo të shoqeruar në polici”, tha Kaloshi.

Kaloshi, ka deklaruar se Agjencia e Privatizimin ka kryer obligimin e vet ligjor duke ju ofruar bashkëpunim organeve kompetente.

“Agjencia ka qenë e hapur dhe ka bashkëpunuar me organet kompetente dhe ka ofruar informata të cilat janë kërkuar nga ata. Konsiderojmë se për detaje më të shumta është mirë që të kontaktohet me organet e tjera”,tha Kaloshi.

Jozyrtarisht mësohet se hetuesit e policisë në agjenci kanë marrë kompjuterë dhe dokumente.

Sidoqoftë, organizata të ndryshme joqeveritare por edhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës vazhdimisht kanë kundërshtuar mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore që ka zbatuar Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit është organ i pavarur publik i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë plotësisht të pavarur, në bazë Ligjit të Kuvendit të Kosovës, për AKP-ne

Kjo agjenci ka zotësi të plotë juridike, posaçërisht për të bërë kontrata, për të marrë, mbajtur ose shitur pronën.

Prej themelimit të saj, agjencia ka privatizuar një numër të madh të ndërmarrjeve shoqërore.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG