Ndërlidhjet

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë para se Skocia të mbajë referndumin historik për të lënë ose jo Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se tre shekujsh të bashkimit politik.

Kampi “po” ka shënuar fitore dramatike në sondazhet e javëve të fundit.

Udhëheqësi i këtij kampi, Alex Salmond, njëherësh ministër i parë i Skocisë, e ka cilësuar referendumin si mundësi historike, ndërsa kryeministri britanik, David Cameron, në një apel emocional më 15 shtator, u ka bërë thirrje votuesve që “të mos e ndajnë familjen”.

Votimi është kulmi i një procesi, që më 1999 i ka dhënë më shumë përgjegjësi Parlamentit të Skocisë.

Më 2011, kur blloku secesionist, përkatësisht Partia Kombëtare e Skocisë, ka fituar zgjedhjet, qeveria britanike dhe ajo skoceze janë pajtuar që Skocia të pyesë popullin nëse do të mbetet ose jo pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Mbështetësit e kampit “po” thonë se Skocia do të jetë në pozitë më të mirë, nëse vendimet për të ardhmen e saj i marrin njerëzit që jetojnë atje. Sipas tyre, një Skoci e pavarur do të përdorte pasurinë e madhe të naftës për të siguruar shërbimet publike dhe mirëqenien.

Kampi “po”, për shembull, nuk është i kënaqur me politikat e qeverisë britanike që parashohin kushte të ashpra për përfitimet sociale, duke thënë se qeveria e qendrës së djathtë godet në këtë mënyrë shoqërinë në nevojë.

“Në Skoci kemi shansin të pavarësohemi jo nga Londra, por të pavarësohemi për veten tonë, të vendosim se si duam ta udhëheqim vendin, cilat janë vlerat tona. Mendoj se veçoria themelore e popullit skocez është bujaria, mirësia dhe drejtësia”, thotë një vullnetar i kampit “po” me emrin Stewart Fordyce.

“I pasuri pasurohet dhe i varfri varfërohet. Është qesharake që në këto ditë klasa punëtore punon, por ajo duhet të mbështetet në dhurata dhe bamirësi. Kjo ka marrë fund me Luftën e Parë Botërore. Është qesharake që te ne ekziston ende dhe e gjithë kjo për faktin se kush është në qeveri”, thotë Louise Kemlo, 53-vjeçe, me aftësi të kufizuara.

Kampi “jo”, në anën tjetër, pyetet se përse duhet hequr dorë nga siguria dhe stabiliteti i bashkimit ekonomik dhe të rrezikohet për diçka të panjohur.

Një numër i madh i bankave dhe kompanive të mëdha kanë ngritur po ashtu zërin kundër pavarësisë, duke thënë se ajo do të shkaktojë pasiguri të mëdha.

“Mendoj se është një koncept shumë i rrezikshëm, nacionalist. Ai nuk mban gjallë unitetin. Njerëzit vetëm se e kanë marrë me pasion. Unioni ka punuar mjaft mirë për Skocinë”, thotë Marianne Stewart, 68 vjeçe.

Edhe pse rezultati është i paqartë, të dyja palët pajtohen për një gjë – debati ka aktivizuar tej mase skocezët. 97 për qind e 4.4 milionë qytetarëve me të drejtë vote janë regjistruar dhe një gjë e tillë rrit shpresat për një pjesëmarrje të madhe.(v.tela)

XS
SM
MD
LG