Ndërlidhjet

logo-print

Arrestohen 15 persona për veprimtari radikale


Aksioni policor të mërkurën...

Aksioni policor të mërkurën...

Policia e Kosovës ka arrestuar 15 persona nën dyshimet se kanë kryer vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Arrestimet janë kryer gjatë një operacioni të policisë në 16 lokacione dhe në bazë të "kërkesës nga Prokuroria Speciale e Kosovës për urdhër-bastsje dhe ndalim".

Në një komunikatë për opinion, policia ka bërë të ditur se “operacioni policor është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shprehur përkushtimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, për ruajtjen e rendit kushtetues dhe të sigurisë kombëtare.

Në një komunikatë për opinion, zonja Jahjaga ka vlerësuar se "veprimet e mekanizmave të sigurisë - të cilat kanë për qëllim pengimin e veprimtarive ilegale, përfshirë nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe rreshtimin në kauza ekstremiste të qytetarëve të Kosovës - po bëhen që në vazhdimësi të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurt, e qetë dhe tolerante, e pakërcënuar nga dukuritë që kanë për qëllim cenimin e vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tone dhe traditën e gjatë të harmonisë fetare".

Presidentja Jahjaga tha se "institucionet e Kosovës e kuptojnë seriozisht përgjegjësinë për të vepruar ndaj kësaj kanosjeje globale në përputhje me vullnetin dhe përcaktimin e qytetarëve të Kosovës për ndërtimin e një vendi tolerant dhe kontribuues të stabilitetit e sigurisë kolektive, një vend të pakompromis ndaj thirrjeve për rrënim të rendit kushtetues që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut apo aktivitetet qe kërcënojnë paqen e stabilitetin".

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, përmes një postimi në rrjetin social Tëitter ka "përshëndetur qasjen pro-aktive të Kosovës kundër luftëtarëve të huaj dhe ekstremizmit”.

Mediat vendore thonë se gjatë këtij aksioni është arrestuar edhe imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, drejtuesi i Lëvizjes Islame "Bashkohu" [LISBA], Fuad Ramiqi, imami nga qyteti i Pejës, Enes Goga, dhe ai nga Mitrovica, Enis Rama.

Policia ndërkaq ka publikuar inicialet dhe vitin e lindjes të personave të arrestuar në komunikatë. Është njoftuar gjithashtu se gjatë aksionit, janë konfiskuar prova materiale që ndërlidhen me rastin.

Autoritetet e rendit kanë shfrytëzuar rastin që përmes komunikatës zyrtare të njoftojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për, siç thuhet, ”rrezikun që i kanoset çdokujt që merr rrugë për t’iu bashkangjitur organizatave të dyshuara që operojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut”.

“Një pjesë e madhe e këtyre organizatave siç janë Al-Nusra dhe ISIS, janë të shpallura Organizata Terroriste nga organizmat ndërkombëtarë si dhe të njohura si të tilla edhe nga institucionet vendore”, thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu tha për Radion Evropa e Lirë se "BIK-u është i brengosur lidhur me shoqërimin e imamëve në polici", por ka shtuar se "askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe institucionet kompetente janë të thirrura ta kryejnë punën e tyre".

"Ne e kemi thënë edhe me parë dhe po e përsërisim, të gjitha paraqitjet e tyre janë publike dhe përgjegjësia është individuale", ka thënë Sadriu.

Lëvizja Islame “Bashkohu”, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në internet, ka reaguar ndaj arrestimeve të sotme, duke i cilësuar si “kryekëput politike”.

“LISBA dënon aktin e persekutimit të myslimanëve në Kosovë dhe kërkon nga policia e Kosovës të mos bëhet lojë e politikës”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Ndryshe, imami Krasniqi nga Prishtina ishte shoqëruar në polici edhe më 4 shtator të këtij viti, por pas intervistimit nga autoritetet e rendit ishte liruar. Prokuroria Speciale në Kosovë kishte njoftuar se hetimet do të vazhdojnë.

11 gusht ndërkaq, policia në Kosovë ka arrestuar mbi 40 persona, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, përkrah organizatave të njohura ndërkombëtarisht terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra, si dhe nën dyshime të tjera që lidhen me radikalizmin fetar.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG