Ndërlidhjet

A do të dërgohen trupat luftarake amerikane në Irak?


Komandanti i lartë ushtarak i Shteteve të Bashkuara, Martin Dempsey, tha se presidenti amerikan, Barack Obama, do ta vlerësojë secilën situatë individualisht para se të vendos nëse këshilltarët ushtarakë amerikanë do të kenë rol luftarak në Irak, në betejën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Gjenerali Dempsey, që është Shef i Shtabit të Përbashkët të ushtrisë amerikane, i tha mbrëmë Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, se Obama i ka thënë atij që ta vizitoj në Shtëpinë e Bardhë “prej rastit në rast”.

Presidenti Obama, publikisht e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave luftarake të Shteteve të Bashkuara në Irak, dhe këtë fakt ushtaraku Dempsey e ka vërtetuar.

Por, ai disa herë e ka paraqitur idenë për mundësinë e dërgimit të këshilltarëve ushtarakë amerikanë me trupat e Irakut në misione luftarake, megjithëqë ai ka theksuar se aktualisht nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

“Nëse ne arrijmë në pikën ku unë besoj se këshilltarët tanë do të duhej tu bashkoheshin trupave irakiane për sulme specifike kundër caqeve të Shtetit Islamik dhe Levantit (ISIL), unë do t’ia rekomandoj këtë presidentit”, tha Dempsey.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, është përgjigjur duke thënë se presidenti e krijon politikën dhe se politika e tij për të mos dërguar trupa në terren, nuk ka ndryshuar.

Spekulimet po bëhen pasi shumë amerikanë janë të lodhur pas Luftës në Irak dhe konfliktit të gjatë 13 vjeçar në Afganistan.

Dëgjimi në këtë komitet të Senatit është ndërprerë disa herë nga protestuesit antiluftë, të cilët pastaj u përcollën jashtë sallës.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Chuck Hagel, tha se militantët e ISIL-it janë “kërcënim i menjëhershëm për secilin interes që ne e kemi”, dhe ka shtuar se “ata janë më tepër se grup terrorist” dhe se janë “jashtëzakonisht mirë të financuar, dhe kjo është përtej asaj që ne kemi parë deri tash”.

Sipas tij, grupi është “kërcënim i menjëhershëm për shtetasit amerikanë në Irak dhe interesat amerikane në Lindjen e Mesme” dhe nëse nuk kundërshtohen, ata “direkt do ta kërcënojnë tokën tonë dhe aleatët”.

Sekretari Hagel më tutje tha:

“Në Irak do të jenë afërisht 1600 trupa amerikane në përgjigje të kërcënimit nga ISIL-i. Por, siç tha presidenti javën e kaluar, forcat amerikane nuk do të kenë mision luftarak. Këta këshilltarë po i mbështesin forcat irakiane dhe kurde dhe planet e qeverisë për t’i krijuar njësitet e Gardës Kombëtare të Irakut, për të ndihmuar për t’i shkaktuar disfatë ISIL-it. Kundërpesha më e mirë ndaj ISIL-it janë forcat lokale dhe populli në atë hapësirë”, tha Chuck Hage.

Ai ka theksuar se më se 160 sulmet e deritashme ajrore ishin të suksesshme.

“Për t’i mbrojtur amerikanët e kërcënuar nga avancimet e ISIL-it dhe për ta parandaluar katastrofën humanitare, ushtria e Shteteve të Bashkuara tashmë ka ndërmarrë më se 160 sulme ajrore të suksesshme, të cilat i kanë vrarë luftëtarët e ISIL-it, i kanë shkatërruar pajisjet dhe armatimet, dhe u kanë mundësuar forcave irakiane dhe kurde të kthehen në ofensivë dhe të sigurojnë territorin kryesor dhe infrastrukturën kritike”, tha Chuck Hagel.

Martin Dempsey tha se është i nevojshëm formimi i koalicionit me partnerët arabë dhe myslimanë.

“Natyra e kërcënimit është e tillë që, siç e përmenda, do tu shkaktohet disfatë vetëm kur arabët e moderuar dhe popujt myslimanë në rajon e kundërshtojnë atë, dhe rrjedhimisht, duket se mënyra për të lëvizur përpara shkon qartas nëpër koalicionin e partnerëve arabë dhe myslimanë, e jo në pronësinë e Shteteve të Bashkuara në këtë çështje”, tha Dempsey.

Gjenerali Dempsey tha se një përpjekje e pashpallur për rekrutimin e 5 mijë kryengritësve sirianë, nuk ka filluar ende, pasi Kongresi i Shteteve të Bashkuara nuk e ka miratuar legjislacionin për financim dhe nuk ka marrëveshje se luftëtarët do të luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe jo kundër presidentit Bashar al-Assad.

Senatori Jon McCain, republikan nga Arizona, i ka vënë pikëpyetje këtij plani.

“Ky është një keqkuptim fundamental i gjithë koncepti dhe motivimit të Armatës së Lirë të Sirisë. Është Bashar al-Assadi që ka vrarë më tepër pjesëtarë të saj se sa ISIL-i, dhe për ne që të themi se ne do të shkojnë atje dhe të ndihmojnë në trajnim dhe pajisje këta njerëz, vetëm që ata të luftojnë kundër ISIL-it, atëherë ju nuk do të keni shumë rekrutë që do ta bëjnë këtë gjeneral, ju garantoj për këtë. Ky është gabim fundamental në çdo gjë që ju po e prezantoni në këtë komitet”, tha John McCain. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG