Ndërlidhjet

Shkup: Interpretimet e ndryshme pengojnë zbatimin e gjuhës shqipe


Ilustrim

Ilustrim

Përdorimi i gjuhës shqipe në Shkup vazhdon të jetë peng i interpretimeve të ndryshme të Ligjit për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike.

Edhe pse me Kushtetutë qartë është e definuar se përveç maqedonishtes, në komunat ku mbi 20 për qind e popullatës flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, po ashtu është zyrtare, që në këtë rast nënkupton gjuhën shqipe, kjo nuk respektohet nga autoritetet e qytetit të Shkupit.

Problemet filluan para shtatë muajsh kur administrata e qytetit filloi vendosjen e tabelave udhëzuese në Shkup vetëm në gjuhën maqedonase.

Pavarësisht reagimeve të shumta dhe premtimeve për nisjen me punë të një komisioni për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, deri më tani, jo që nuk ka asnjë zgjidhje konkrete, por autoritetet kanë vazhduar vendosjen e tabelave vetëm në gjuhën maqedonase.

Kryetari i Qytetit, Koce Trajanovski, pranon se ka probleme, por jo edhe atë se administrata e tij shkel Kushtetutën.

“Këtë çështje duhet ta shqyrtojmë në komisionin e formuar. Ai është takuar një herë para zgjedhjeve, por më duhet të them se qyteti i Shkupit nuk shkel as Kushtetutën e as ligjet. Ne këtu kemi shërbime që punojnë në këtë problematikë dhe që kanë për detyrë interpretimin e ligjeve në Qytetin e Shkupit".

"Kjo çështje nuk është e përkufizuar në mënyrë të prerë, pasi në disa ligje ka interpretime të ndryshme. Për këtë qëllim, kemi formuar edhe një komision të gjerë, i cili do të shqyrtojë zbatimin e këtyre ligjeve që kanë të bëjnë me gjuhën”, thotë Trajanovski.

Ishte vetë Trajanovski që fillimisht kishte premtuar zgjidhjen e këtij problemi pas zgjedhjeve të prillit, por ky afat sikurse dhe tjetri për nisjen me punës së komisionit pas pushimeve të verës, ende nuk janë respektuar.

Nga ana tjetër, drejtuesit e komunave që veprojmë brenda Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal, i kanë bërë thirrje Trajanovskit, që të mos e zvarrisë çështjen, ndërsa nuk përjashtojnë edhe mundësinë e kërkimit të përgjegjësisë për shkeljet ligjore.

“Ne së pari jemi të interesuar që sa më shpejt të nisë zbatimi i plotë i gjuhës shqipe në nivel të Qytetit të Shkupit, e më pas do të dalin në sipërfaqe edhe çështjet tjera. Unë mendoj se nuk duhet të vonohet, është tejkaluar koha, duhet të sillen konkluzionet dhe të zbatohet ligji në nivel të Qytetit të Shkupit”, shprehet Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit, Shkup.

Ndëekaq, njohësit e kësaj çështjeje thonë se problemi është pasojë e mosdefinimit të qartë të pozicionit të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në vend.

Valbona Toska, ligjëruese në Universitetin e Shkupit, thotë se Kushtetuta qartë duhet të përcaktojë nëse shqipja është ose jo gjuhë zyrtare.

“Edhe pse pretendohet se gjuha shqipe krahas asaj maqedonase është gjuhë zyrtare, kjo nuk dëshmohet as me legjislacion, e as në praktikë. Derisa në Kushtetutë dhe në aktet e tjera ligjore nuk kemi formulim eksplicit se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, gjithmonë do të ketë mundësi që të bëhen interpretime sipas interesave të caktuara. Po të jetë e të vërtetë se gjuha shqipe është zyrtare, pse atëherë asnjë nga institucionet më të larta të shtetit, si Qeveria, nuk mban mbishkrim edhe në gjuhën shqipe?!”, thekson Toska.

Ndryshe, përveç në qytetin e Shkupit, probleme me përdorimin e gjuhës shqipe ka edhe në Kuvendin e Maqedonisë ku drejtuesi i seancave nuk ka të drejtë që ato t’i drejtojë në gjuhën shqipe.

Me probleme të kësaj natyre përballen edhe ministrat, të cilët gjatë takimeve apo vizitave ndërkombëtare, janë të obliguar të flasin vetëm në maqedonisht.

Probleme si pasojë e mosdefinimit të qartë të pozicionit të gjuhës shqipe ka edhe në shumë aspekte tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG