Ndërlidhjet

Posti i kryetari i Kuvendit për Partinë Demokratike të Kosovës, kurse Qeveria për koalicionin e gjerë të partive, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje, do të ishte zgjidhja e vetme që do ta tejkalonte krizën e formimit të institucioneve, thonë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, insistimi i bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje që të marrë edhe postin e kryetarit të Kuvendit, vetëm sa mund të sjellë përsëritjen e seancës së ndërprerë të 17 korrikut.

Analisti, Imer Mushkolaj thotë se në seancën e 18 shtatorit deputetët e koalicionit të gjerë pas zgjedhor, duhet të dëshmojnë pjekuri politike dhe të votojnë kandidatin e PDK-së, në mënyrë që të hapet rruga për formimin e qeverisë.

Për dallim nga posti i kryetarit të Kuvendit, i cili është rezervuar për grupin më të madh parlamentar, për formimin e qeverisë ka edhe një rast të dytë, andaj mandatin mund ta fitojë edhe blloku i katër partive të koalicionit, ka thënë Mushkolaj.

"Unë mendoj që zgjidhja është që deputetët e bllokut pas-zgjedhor të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike, Arsim Bajrami dhe në këtë mënyrë t'i hapet rruga krijimit të koalicionit qeveritar. Siç e dimë në bazë të aktvendimit të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese e drejta e krijimit të koalicionit, me rekomandimin e presidentes, do t'i takoj edhe Grupit LAN me Vetëvendosjen dhe në këtë mënyrë do të zgjidhej edhe ngërçi politik", ka theksuar Mushkolaj.

Ndërkohë, edhe analisti i Institutit për Politika Zhvillimore - KIPRED, Albert Krasniqi ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese i ka pamundësuar ndonjë grupi tjetër parlamentar që të propozojë kryetarin e Kuvendit përveç PDK-së.

Madje, edhe nëse do të zgjidhej nga një subjekt tjetër, propozimi për kryetarin duhet të vijë nga PDK-ja, si grupi më i madh, kishte parashikuar Krasniqi.

"Çdo propozim që do të vinte nga partia që nuk e ka numrin më të madh të votave do të cilësohej si jo kushtetuese. vetëm PDK mund të propozoj kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe asnjë prej partive tjera nuk mund ta bëj këtë. Edhe në rast se PDK do të hiqte dorë, prapë ajo do të duhej ta propozonte kandidatin e një partie nëse do të arrihej një marrëveshje", ka thënë Krasniqi.

Me gjithë vërejtjet e analistëve por edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, blloku i partive të koalicionit pas zgjedhor ka konfirmuar edhe të enjtën pas një takimi të mbajtur në Prishtinë se në seancën e 18 shtatorit nuk do ta mbështes kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit.

Një pozicion i tillë e mbanë gjendjen afërsisht të njëjtë sikurse para 17 korrikut, ndonëse tani minoritetet janë duke anuar më shumë kah PDK-ja. Kjo e fundit, pretendon se e ka siguruar mbështetjen e pakicave jo serbe, kurse nuk ka miratim e as refuzim e deputetëve serbë.

Pas një takimi që përfaqësuesit e Listës Serbe, që përfaqësohet me 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, kanë zhvilluar me kryeministrin Aleksandar Vuçiq është thënë se kjo Listë nuk do të jetë pjesë e qeverisë me subjekte politike që kundërshtojnë interesat e serbëve, siç është Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë takim, serbët e Kosovës dhe Qeveria e Beogradit thuhet se kanë miratuar tri parime, ku bëjnë pjesë, mirëqenia për serbët e Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe mospjesëmarrja në qeveri me ata që kundërshtojnë normalizimin e marrëdhënieve.

Sidoqoftë, PDK edhe nëse do të siguronte mbështetjen e pakicave, sipas kalkulimeve nuk do t'i kishte votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Kurse koalicioni i gjerë, do t'i ketë votat edhe pa minoritetet, mirëpo parashikimet janë se edhe nëse shkon në opsionin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit pa grupin më të madh parlamentar, lënda mund të kthehet sërish në Gjykatën Kushtetuese.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG