Ndërlidhjet

Bashkësia Islame e shqetësuar me arrestimet e imamëve


Pamje nga operacioni i së mërkurës
Pamje nga operacioni i së mërkurës

Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me një deklaratë për opinion, duke shprehur shqetësimin për arrestimin e disa imamëve nga autoritetet e rendit në Kosovë.

Policia e Kosovës ka arrestuar 15 persona të mërkurën, nën dyshimet për cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare, përfshirë këtu edhe një numër të caktuar imamësh nga disa qytete të Kosovës.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, beson në pafajësinë e tyre, përderisa organet e drejtësisë nuk e dëshmojnë të kundërtën”.

“Bashkësia Islame e Kosovës punën dhe aktivitetin e vetë e bazon në parimet hyjnore islame, andaj ne besojmë se edhe ligjërimet e imamëve në xhamitë tona janë zhvilluar në këtë frymë. Institucioni i Xhamisë te ne historikisht ka luajtur rol pozitiv në edukimin dhe fisnikërimin e popullatës sonë, po ashtu xhamitë kanë pasuar rol determinues edhe në zhvillimet e rëndësishme të popullit dhe vendit tonë”.

Duke ripërsëritur qëndrimin se nuk e paragjykojnë fajësinë, BIK-u ka shprehur kundërshtimin ndaj, siç thuhet. “fushatës që demonizon institucionin e imamit dhe xhamive pa fol drejtësia, andaj edhe njëherë apelojmë që të presim të japim verdiktin organeve të drejtësisë”.

Bashkësia Islame mes tjerash ka ftuar të gjithë qytetarët, “që me qetësi e maturi të presin vendimin e organeve të drejtësisë, larg çdo politizimi e polarizimi, tendence e keqkuptimi”.

XS
SM
MD
LG