Ndërlidhjet

logo-print

Skocia - e pavarur apo në Mbretërinë e Bashkuar?

  • RFE /RL

Në Skoci po mbahet referendumi, që është vlerësuar si zhvillim historik, në të cilin do të vendoset se a do të mbetet ky territor në Mbretërinë e Bashkuar apo do të jetë shtet i pavarur.

Hulumtimet e fundit të opinionit tregojnë për një përparësi minimale për mbështetësit e mbetjes në bashkimin politik me Britaninë – 52:48 %.

Meqë ky dallim është tejet i vogël, të dy palët rivale kanë zhvilluar fushatë intensive për të ndikuar te votuesit, që ende nuk janë të vendosur se cilin opsion ta mbështesin.

Ministri i parë i Skocisë, Alex Salmond, njëherësh lider i Partisë Kombëtare Skoceze, që ka synime separatiste, e ka përshkruar referendumin si mundësi “njëherë në jetë” dhe në një letër të hapur i ka porositur votuesit që me forcën e duarve të tyre ta “bëjnë Skocinë vend që duhet të jetë”.

Kryeministri britanik, David Cameron, në apelin e tij për votuesit e Skocisë, tha se do të ishte “krejtësisht me zemër të thyer” nëse Skocia largohet nga unioni, ku ishte tash e 307 vjet, dhe ka tërhequr vërejtjen se nëse shkëputet, pastaj nuk do të jetë në gjendje t’i ribashkohet Mbretërisë së Bashkuar.

Në referendumin e sotëm, që ka filluar në orën 8 të mëngjesit dhe vazhdon deri në orën 23, kërkohet përgjigjja në pyetjen e vetme: “A duhet Skocia të jetë vend i pavarur”?

Të gjithë banorët e Skocisë, që janë 16 vjeçar e më tepër, të cilët janë shtetas britanikë ose të ndonjë vendi tjetër të Bashkimit Evropian, kanë të drejtë të votojnë.

Ata persona, që janë të lindur në Skoci, por jetojnë jashtë saj, nuk kanë të drejtë vote.

Kryeministri Cameron, njëherësh lider i Partisë Konservatore në Britani, iu bashkua të dy liderëve të tjerë kryesore të partive unioniste, Demokratëve Liberalë dhe Partisë Laburise në opozitë, në nënshkrimin e një premtimi për transfer të më tepër të drejtave për Parlamentin e Skocisë, në sektorët kryesorë, siç janë taksat, shpenzimi dhe mirëqenia, nëse ata votojnë kundër pavarësisë.

Zoti Cameron, po ashtu, ka premtuar vazhdimin e financimit shtetëror, që aktualisht e merr Skocia nga Londra, në nivel më të lartë.

Mbështetësit e pavarësisë i kanë hedhur poshtë këto premtime si dëshmi e panikut në fushatën “më mirë do të jetë së bashku”, duke thënë se nuk mund të garantohet, që deputetët në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, do të miratojnë më tepër të drejta dhe kanë shprehur dyshime se përse këto premtime po bëhet në periudhën kur votimet ishin afruar.

Në finale të fushatës, me pretendime kundërshtuese lidhur me të ardhmen e shërbimit shëndetësor të financuar nga shteti, shkurtimisht i njohur si NHS, po ashtu, ishte në qendër të debatit.

Mbështetësit për votën “po” kanë argumentuar se pavarësia është e vetmja mënyrë për ta mbrojtur shërbimin shëndetësor nga atë që ata e shohin si privatizim i ngadalshëm në Angli.

Mbështetësit e fushatës për votën “jo” e kanë hedhur poshtë këtë pretendim, duke theksuar se shëndetësia aktualisht është e ndarë në Skoci dhe thonë se një dokument që ka rrjedhur në opinion tregon se qeveria e Skocisë po konsideronte masa për shkurtime të thella në shpenzimet e shëndetësisë, pas referendumit.

Çështje tjetër kryesore ishte edhe ajo se çfarë monedhe do të përdorte Skocia e pavarur.

Ministri i parë, Alex Salmond, thotë se Skocia do të vazhdoj përdorimin e funtës në union monetar me pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar dhe vlerëson se partitë unioniste po blofojnë kur thonë se kjo nuk do të ndodhë.

Ja se çka thotë votuesi David Grant, i cili është kundër pavarësisë së Skocisë.

Unë jam anglez, kam jetuar në Skoci prej se isha 14 vjeçar, e kam familjen në Angli, e kam familjen në Skoci, dhe nuk kam dëshirë që ata të ndahen me kufi. Plus, nuk mendoj se pavarësia është në interesin më të mirë të Skocisë”, tha David Grant.

Nga ana tjetër, Milo McLaughlin, është për pavarësi të Skocisë.

“Autoritetet që ata thonë se i ofrojnë tash, është vështirë për të besuar në to. Nuk ka garanca pasi e dimë se anëtarët e tjerë të partive të tyre mund të ngriten kundër dhe mund të mos ndodhin realisht. Me të vërtetë tash është çështje e besimit. Ata na kanë ofruar këtë, meqë ne u kemi shkaktuar panik atyre”, thotë Milo McLaughlin.

Rezultatet pritet nesër në mëngjes.

Nëse rezultati do të jetë “për”, atëherë fillojnë negociatat që çojnë në pavarësinë e Skocisë, më 26 mars të vitit 2016. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG