Ndërlidhjet

OSBE dënon kërcënimet ndaj gazetarit Artan Haraqija


Aartan Haraqija
Aartan Haraqija

Gazetari i portalit ‘Indeksonline’, Artan Haraqija, ka marrë mesazhe kërcënuese me vdekje, pas paraqitjës së tij të mërkurën në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ku temë ka qenë radikalizmi Islam.

Kjo ka bërë që të zgjojë edhe reagime të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Të enjtën, ka reaguar, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Liri të Mediave Dunja Mijatovic.

Të dy kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me sigurinë e gazetarëve dhe kanë dënuar kërcënimet e fundit me vdekje ndaj Artan Haraqisë, gazetar i portalit të lajmeve Indeksonline, thuhet në njoftimin e OSBE-së.

“Është absolutisht e papranueshme që gazetarët t’i ekspozohen presionit të vazhdueshëm dhe kërcënimeve me vdekje. U bëj thirrje agjencive për zbatim të ligjit që të bëjnë të pamundurën për të siguruar që ata që paraqesin kërcënim ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sigurisë së gazetarëve, të sillen para drejtësisë,” tha Schlumberger.

Kurse Mijatovic, kujton se ky është kërcënimi i dytë ndaj një gazetari në Kosovë këtë muaj. “Liria e mediave dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të njeriut dhe duhet të mbrohen,” ka thënë Mijatovic.

Kërcënimet ndaj Haraqisë, i ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

"Gazetari Haraqija është kërcënuar me vdekje të mërkurën, përmes mesazheve të ndryshme pas paraqitjes së tij në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ku u diskutua për ekstremizmin fetar. AGK-ja u bënë thirrje të gjithë personave që t`i lënë kërcënimet ndaj gazetarëve si dhe fton të gjitha organet kompetente të Kosovës që të merren seriozisht me hetimin dhe parandalimin e këtyre kërcënimeve", thuhet në reagim.

XS
SM
MD
LG