Ndërlidhjet

Arkat që kontrollojnë “milionat”


Ilustrim
Ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka rifilluar procesi i fiskalizimit të pompave të karburanteve të naftës, konkretisht montimi i pajisjeve specifike fiskale në aparatet e pikave të shitjes.

Ky proces kishte nisur në fillim të këtij viti, por është pezulluar pas kërkesës së naftëtarëve se ka monopol në treg dhe se nevojitet numër më i madh i kompanive që merren me shitjen e këtyre aparateve, pasi çmimi i pajisjeve të aparateve fiskale ka kosto shumë të lartë, apo 300 për qind më shtrenjtë se në rajon.

Për pezullimin e procesit ishte arritur një marrëveshje në mes të naftëtarëve dhe Ministrisë së Financave.

Sipas një llogaritjeje të naftëtarëve, një pikë e shitjes, nëse disponon 6 dispaneserë (aparat ku shitet qoftë nafta, qoftë benzina), është dashur të paguajë deri në 20 mijë euro.

Nëpërmjet këtij projekti, Administrata Tatimore e Kosovës pritet të ketë kontroll më të madh, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet në çdo pikë të shitjes.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë të Administratës Tatimore e Kosovës (ATK), kanë thënë se kjo administratë tashmë i ka njoftuar tatimpaguesit se nga muaji shtator duhet të fillojë faza e dytë e fiskalizimit.

Valentina Bytyçi – Sefa, zëdhënëse në këtë institucion, ka thënë se ATK-ja dhe Ministria e Financave e kishin ndërprerë përkohësisht këtë proces që tashmë duhet të rinisë.

Ministria e Financave, gjegjësisht Komisioni për Fiskalizim në Administratën Tatimore të Kosovës, disa herë ka shpallur thirrje publike për shprehje interesi dhe ofertë për pjesëmarrje në projektin e Arkave Fiskale.

Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit në largim të Financave, Besim Beqaj, thotë se deri më tani nuk kanë ndonjë kërkesë nga kompanitë për licencim.

“Deri më tash, Komisioni për Fiskalizim nuk ka marrë kërkesë për licencimin e ndonjë kompanie të re. Në këtë situatë, ATK-ja ka vendosur që të vazhdojë me fiskalizimin e pompave të derivateve. Komisioni për Fiskalizim mbetet i hapur për të shqyrtuar të gjitha kërkesat për licencim, e edhe në këtë rast bëjmë ftesë publike që kompanitë e interesuara të aplikojnë”, thotë Baxhaku për Radion Evropa e Lirë.

Pikat e karburanteve të naftës edhe në vitin 2010 ishin pajisur me arka fiskale, por autoritetet kompetente kishin kërkuar që të pajisen edhe me arka tjera speciale fiskale, që duhet të montohet në çdo dispanseri.

Naftëtarët pranojnë fiskalizmin, por nuk pranojnë çmimet e shtrenjta të aparateve.

Sipas tyre kompanitë e licencuara që shesin dhe montojnë këto pajise, çmimin e kanë përcaktuar sipas dëshirës së tyre.

Fadil Berjani, udhëheqës i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se pranojnë rifiskalizimin, por jo me çmimet aktuale.

“Marrëveshja me ministrin në largim, Besim Beqaj, ka qenë shumë e qartë, jemi kundër monopolit, jemi kundër krimit të organizuar dhe ministri e ka pranuar. Kërkesa jonë, aktualisht, është që të ketë operatorë të rinj në treg, sepse çmimi është shumë i shtrenjtë dhe të fillojë rifiskalizimi, proces ky që të gjithë naftëtarët e pranojnë. Por, për këtë çmim që është në treg, dikush duhet të japë përgjegjësi pse është aq i lartë”, shprehet Berjani.

Aktualisht, siaps Berjanit, operojnë 930 pika të shitjes së karburanteve dhe nëse çdo pikë minimum ka katër dispanseri, llogaritet se mbi 3700 aparate duhet të pajisen me arka të veçanta fiskale.

Si alternativë për të lehtësuar çmimin e aparateve fiskale, Nazmi Bytyçi, anëtar në Këshillin Drejtues të Odës Ekonomike, konsideron rimbursimin në forma të ndryshme nga Qeveria e Kosovës.

Edhe Bytyçi, i cili ka qenë kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, pranon procesin e fiskalizimit, por jo çmimet.

“Kryesore është rimbursimi. Në shumë shtete të rajonit qeveria ka bërë rimbursimin, sepse është lehtësim dhe monitorim i bizneset nga ATK-ja. Nuk kemi kërkuar para, por kemi kërkuar forma në TVSH, ka shumë forma që të rimbursohet investimi në arkat fiskale, sepse absolutisht nuk jemi kundër fiskalizimit”, pohon Bytyçi.

Pavarësisht kësaj, disa kompani tashmë e kanë përfunduar këtë proces, ndërkaq disa operatorë të karburanteve të naftës thuhet se kanë larguar nga pikat e shitjes ndonjë aparat, pikërisht për shkak të çmimit të lartë të montimit të këtyre pajisjeve.

Edhe përfaqësues të subjekteve ekonomike në Kosovë, kanë kërkuar që pompat e shitje së karburanteve, që ndryshe njihen si tregu “milionësh” në vend, duhet të fiskalizohen, mënyrë kjo që mund të zvogëlojë ekonominë joligjore.

Por, nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar Shoqata e Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale. Sipas kësaj shoqate, për shitjen dhe montimin e këtyre pajisjeve janë të licencuara tri kompani.

Në këtë komunikatë, madje, thuhet se kërkesat e naftëtarëve për futjen e operatorëve të rinj në treg dhe çmimet e larta të pajisjeve, nuk qëndrojnë, por këto po bëhen për shkak të shmangies së procesit të fiskalizimit.

XS
SM
MD
LG