Ndërlidhjet

Sfeçla: Vaksinimi, pikë e suksesshme e shëndetësisë


Naim Sfeçla

Naim Sfeçla

Naim Sfeçla, mjek specialist në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ka deklaruar se vaksinimi njihet si një pikë e suksesshme në shëndetësinë e Kosovës, duke e marrë parasysh se tashmë mbi 95 për qind e fëmijëve vaksinohen.

RADIO EVROPA E LIRË

Cila është gjendja aktuale sa i përket vaksinimit në Kosovë?

NAIM SFEÇLA: Gjendja e vaksinimit, aktualisht, është shumë e mirë. Rezultatet që i kemi ne dhe ato që na vijnë çdo herë nga terreni, janë të lakmueshme. Në qoftë se e zbërthejmë në përqindje, atëherë vaksinimi është mbi 95 për qind.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa mbrohet shëndeti publik nëpërmjet vaksinimit?

NAIM SFEÇLA: Po nëse bazohemi në përqindje, atëherë kjo tregon vetë se kemi një mbrojtje shumë të mirë të fëmijëve parashkollorë dhe atyre shkollorë. Regjioni i Prishtinës është i mbuluar shumë mirë dhe nuk kemi kurrfarë problemi.

RADIO EVROPA E LIRË

A bëhet fjalë vetëm për vaksinimin e fëmijëve apo edhe për të rriturit, përkatësisht të rriturit nga cilat sëmundje mund të mbrohen përmes vaksinimit?

NAIM SFEÇLA: Përpos vaksinimit parashkollor të fëmijëve, këtu njëkohësisht e kryejmë edhe vaksinimin e fëmijëve në shkolla, tash vetëm sa kemi filluar nëpër fshatra ku kryejmë vaksinimin e fëmijëve të klasave të para dhe atyre të klasave të gjashta të shkollave fillore. Ndërsa, te të rriturit këtë javë kemi marrë vaksina kundër gripit.

Ato janë vaksina sezonale që mbrojnë mosha të caktuara, do të thotë këto vaksina vijnë edhe me indikacione për njerëzit që kanë indikacione, pra sëmundje kardio-vaskulare, sëmundje diabeti apo sëmundje të veshkave varësisht prej indikacionit si dhe për moshat mbi 65-vjeçare, janë vaksinat kundër gripit sezonal dhe merren çdo vit.

RADIO EVROPA E LIRË

A preferohet që këto vaksina të merren nga të gjitha grupmoshat?

NAIM SFEÇLA: Preferohet me indikacion, pra kur është fjala për moshën dhe sëmundjen e pacientit, nuk merren. Me vaksina të gripit, Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike na ka furnizuar mirë dhe doza ka mjaftueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa është doza e vaksinave që keni dhe cilat janë kërkesat?

NAIM SFEÇLA: Aktualisht, kemi marrë në Institut 1350 vaksina, vitin e kaluar i kemi marrë 8 mijë. Ne, regjioni i Prishtinës, kemi qenë të furnizuar mirë. Presim që edhe këtë vit të jemi të furnizuar njëjtë.

RADIO EVROPA E LIRË

Cilat sëmundje janë parandaluar dhe cilat janë zhdukur në Kosovë si rezultat i vaksinimit?

NAIM SFEÇLA: Në bazë të kalendarit të vaksinimit në Kosovë, që është i obliguar, e i cili është i hartuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar për Shëndetësi Publike, kemi arritur, meqenëse jemi duke folur për një plan-program dhe kalendar të zgjeruar në bazë të specifikave që i kemi pasur në Kosovë, kemi arritur të bëjmë parandalimin e shumë sëmundjeve, si edhe zhdukjeve të disa sëmundjeve. Këtu do të përmendja fruthin, meqë ka vjet që nuk ka raporte as nga terreni për raste të paraqitura me fruth.

RADIO EVROPA E LIRË

Po OBSH-ja dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë sa e kanë ndihmuar Kosovën për të arritur rezultatet e deritashme?

NAIM SFEÇLA: OBSH-ja, siç e thashë edhe më herët, qysh prej përpilimit me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe UNICEF dhe të gjitha këto fondacione kanë bërë projektin e plan-programit të vaksinimit dhe furnizimin me vaksina.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG