Ndërlidhjet

Jahjaga nderohet nga Iniciativa Globale Clinton

  • RFE /RL

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pranuar Çmimin për Promovim të Paqes nga Iniciativa Globale Clinton.

Gjatë fjalës së saj në Nju Jork, presidentja ka falënderuar ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, për rolin e tij në përfundimin e luftës në Kosovë.

“Është një nder i madh të jem me ju sonte për të pranuar çmimin për 'Lidership në sferën publike' të ndarë nga Clinton Global Initiative, nga njerëzit të cilët përmes përkushtimit të hatashëm në sferën publike dhe lidershipit të tyre, u kanë sjellë paqe dhe drejtësi miliona njerëzve, dhe të cilët vazhdojnë të punojnë me të njëjtin pasion për t'i përmirësuar jetërat e njerëzve anekënd globit. Veprat tuaja e kanë definuar kohën në të cilën jetojmë”, ka thënë Jahjaga.

Me këtë rast, ajo ka kujtuar Kosovën e para 15-vjetëve, duke thënë se ka qenë një vend i mbuluar nga gërmadhat, me familje të ndara dhe me lidhjet mes komuniteteve etnike të shkatërruara plotësisht.

Por, falë angazhimit dhe vendosmërisë së shoqërisë, Kosova është ndërtuar, ka thënë Jahjaga.

“Përkundër shumë prioriteteve që i ka një shoqëri që sapo e ka mbijetuar luftën, me gjithë lëkundjet e tranzicionit dhe sfidat për të krijuar një shtet të qëndrueshëm, ne arritëm ta bëjmë. Sot, Kosova frymon në liri dhe në paqe dhe me vetëbesim po e trason vizionin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO”, ka thënë Jahjaga.

“Kosova - ajo Kosovë të cilën ju e çliruat dhe rindërtimin e të cilës e ndihmuat - do të vazhdojë të jetë një rrëfim i madh shprese”, ka përfunduar fjalën e saj presidentja Jahjaga.

Iniciativa Clinton ka nderuar edhe personalitete të tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG