Ndërlidhjet

Tri dolli për pluralizmin kundrejt separatizmit


Kjo javë ishte interesante për ta vizituar Britaninë dhe Spanjën – së pari për ta shikuar shtytjen e separatistëve skocezë për pavarësi dhe pastaj për t’i parë separatistët baskë dhe katalonas duke e shikuar (me zhgënjim) rezultatin e votimit, shkruan në fillim të artikullit të tij në të përditshmen New York Times, Thomas L. Friedman, dhe reagon se është i lumtur se shumica e skocezëve e ka refuzuar pavarësinë.

Sikur të mos e kishin bërë këtë, atëherë do të ishte shkurtuar krahu i aleatit më të rëndësishëm të Amerikës në botë: Britanisë.

Rrjedhimisht, autori shkruan Zoti e Bekoftë Amerikën dhe shpjegon se ajo ka shumë burime të forcës, por sot pasuria jonë më e madhe është pluralizmi jonë, që e kemi bërë një komb, prej shumë syresh, me të gjitha përfitimet, që vijnë nga përzierja e kulturave dhe gjithë fuqinë, që vjen nga aftësia që të veprohet së bashku.

Autori Friedman pyetet, sikur që kishte vepruar më parë: ku tjetër dy herë është zgjedhur një person i zi si president, emri i mesëm i të cilit është Hussein, gjyshi i të cilit ishte mysliman, i cili së pari e mundi një grua dhe më vonë doli fitues ndaj një mormoni?

Jam i sigurt se unë nuk do të jetoj aq gjatë, për të parë një pakistanez etnik të bëhet kryeministër i Britanisë ose një imigrant maroken president i Francës. Por, kryengritja në Ferguson na përkujton se ne kemi ende punë në progres në departamentin e pluralizmit.

Por, unë do ta zgjedhja për çdo ditë, punën e vështirë në pluralizëm në krahasim me iluzionet e separatizmit, shkruan Friedman në New York Times, dhe e shtron pyetjen se përse është pluralizmi avantazh aq i madh sot?

Për këtë janë dy arsye: politika dhe inovacioni. Sipas faqes në Internet të Pluralism Project At Harward, thuhet se “pluralizmi nuk është vetëm diversitet, por angazhim energjik me diversitet” pasi “thjesht diversiteti pa kundërshtim dhe marrëdhënie do të jepte tensione në rritje në shoqëritë tona”.

Një shoqëri që është “pluraliste” është "realitet” (shiko Sirinë dhe Irakun). Shoqëria me pluralizëm “është një e arritur” (shiko Amerikën). Më tutje, theksohet se pluralizmi “nuk kërkon që ne të largohemi nga identitetet tona ose përkushtimet tona...

Kjo nënkupton mbajtjen e dallimeve më të thella, bile dallimet tona religjioze, jo në mënyrë të izoluar, por në raport njëri me tjetrin”.

Kjo parashtron se pluralizmi real është i ndërtuar në “dialog” dhe “kritika jep e merr, dhe vetë-kritikë” dhe se “dialogu nënkupton të flasësh dhe të bisedosh”, shkruan New York Times.

Se ky pluralizëm është më i rëndësishëm se çdo tjetër lehtë mund të zbulohet vetëm duke shikuar në Lindjen e Mesme.

Iraku dhe Siria ishin shoqëri pluraliste të cilave u ka munguar pluralizmi. Diversitetet e tyre – sunitët, shiitët, kurdët, turkmenët, të krishterët, hebrenjtë, jazidët, alavitët – ishte diçka që ishte kontrolluar nga lartë – poshtë nga grushti i hekurt otoman, pastaj britanik dhe francez, dhe përfundimisht nga mbretërit lokalë dhe kolonelët.

Shoqëria është mbajtur stabile nga njeriu i fortë, shkruan Nju Jork Times.

Por, përhapja e teknologjive të komunikimit dhe globalizimi, i kanë bërë të gjitha format e kontrollit nga lartë-poshtë, që të dobësohen, të vjetruara ose më të shtrenjta në gjak, para apo arrestime.

Secila prej këtyre vendeve e zhvillon një etikë të pluralizimit, në mënyrë që ato të mund ta qeverisin vetveten horizontalisht, nëpërmjet kontrasteve sociale të forcuara në mesin e shtetasve të barabartë, ose ato do të mbesin në trazira të dhunshme.

Amerika çdoherë ka qenë “vend i shtetasve”, që pluralizimin e vet e bëjnë relativisht lehtë, ka thënë Jose Ignacio Torreblanca, shef i zyrës në Madrid të Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme.

Më tutje ai thotë se “Bashkimi Evropian është vend i shteteve kombëtare” dhe po përpiqet të ketë më tepër pluralizëm duke i integruar ato shtete, edhe më tepër në një super-shtet, që quhet Bashkimi Evropian.

Por, kjo është ndalur tash, pasi niveli i ardhshëm i integrimit kërkon jo vetëm tërheqje nga monedha juaj, por edhe nga sovraniteti, në mënyrë që atje të ketë politikë të përbashkët ekonomike të vërtetë.

Për këtë arsye Amerika ka aq shumë avantazh me pluralizmin e saj dhe përse - nëse skocezët janë mjaft të guximshëm për t’i mbrojtur të vetat, dhe spanjollët të luftojnë për t’i mbajtur të vetat – ne duhet të kemi mençuri për ta kaluar legjislacionin për reformën e imigrimit, që i pasuron tonat, shkruan, në fund të një artikulli të gjatë në të përditshmen New York Times, autori Thomas L. Friedman.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG