Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit e bashkësisë serbe në Kuvendin e Kosovës, kanë përsëritur qëndrimin se do të luajnë rolin aktiv në të gjitha sfidat që janë aktuale për konstituimin e tërësishëm të institucioneve të vendit.

Zëvendëskryeministri në largim, Slobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, e cila është në kuadër të Listës Serbe, që ka 9 deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se votat e deputetëve të kësaj liste do t’i bashkëngjiten votave të shumicës në Kuvendin e Kosovës, në çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Pjesëmarrja jonë në Kuvend është me dëshirën që sa më shpejt të dalim nga kjo krizë, në mënyrë që sa më parë të formojmë institucionet dhe që sa më parë ta marrim pjesën e përgjegjësisë në kuvend dhe në qeveri”, ka thënë Petroviq.

Në anën tjetër, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe para mbajtjes së seancës konstituive të kuvendit të Kosovës me 18 shtator, pati theksuar se zgjidhja më e mirë për Listën Serbe është përfshirja e saj në bllokun VLAN, që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Për shkak të parimeve të kësaj të fundit për dialogun Kosovë –Serbi, si dhe për marrëveshjen e Brukselit, Lista Serbe pati kërkuar shtyrje të seancës së kuvendit , që ishte planifikuar për 12 shtator, duke mos u pajtuar me këto parime.

Petroviq thotë se në qoftë se tejkalohet barriera e parë, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Lista Serbe përsëri do të marrë përgjegjësitë e saj në qeverinë e ardhshme, pavarësisht se kush do të jetë mandatari i ardhshëm që do t’i prijë qeverisë së re.

“Nëse arrijmë që të formojmë qeverinë, atëherë , në përputhje me platformën që e kemi si Listë, do të bisedojmë me mandatarin e ardhshëm, kushdo qoftë ai. Natyrisht që ne, para së gjithash, pjesëmarrjen në qeveri e shohim si rast për zgjidhjen e problemeve, jo vetëm të bashkësisë serbe. Në qoftë se në qeveri do ta kemi mbështetjen e ekzekutivit dhe kryeministrit, atëherë shanset tona për zgjidhjen e problemeve janë shumë më të mëdha”, theksoi Petroviq.

Ndryshe, njohësi serb i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Lista Serbe, aktualisht, nuk është në pozitë që të kërkojë më shumë se sa që i garanton Kushtetuta e Kosovës dhe lidhur me qeverisjen e ardhshme nuk mund t’i shtojë kushte asnjërës palë, as Partisë Demokratike të Kosovës e as Bllokut VLAN.

Kjo për arsyen se, sipas tij, Lista Serbe, nuk ka sqaruar se ka ndonjë partneritet me cilëndo nga këto palë.

“Një opsion i tillë do të ishte i mundur vetëm në rast se Lista Serbe do të sqarohej se kënd e ka partner. Duke pasur parasysh që nuk e ka sqaruar, mendoj se situata e tillë gati se është e pamundur”, theksoi Nojkiq.

Megjithatë, ai ka shprehur mendimin se pavarësisht fërkimeve që ka pasur me bllokun VLAN, për shkak të marrëveshjes se bllokut me Lëvizjen Vetëvendosje, Lista Serbe do të hyj në partneritet qeverisës me këtë bllok, në qoftë se eventualisht kandidati i këtij blloku do ta marrë mandatin për të qeverisur.

“Absolutisht, mendoj se kështu do të jetë, për faktin se unë aty nuk shoh kurrfarë pengese sa i përket Vetëvendosjes. Për më tepër, mendoj se aty ekziston hapësira që Lista Serbe të marrë qëndrim të qartë lidhur me marrëveshjen e Brukselit, garantuese e së cilës është bashkësia ndërkombëtare. Prandaj, Lista Serbe në atë mënyrë vetëm se do ta forconte pozitën e saj dhe në asnjë mënyrë ajo pozitë nuk do të rrënohej ose zvogëlohej”, vlerësoi Nojkiq.

Ndryshe, Nojkiq, ka shprehur mendimin se ngërçi politik nuk do të përfundoj me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se, sipas tij, në dy javët e ardhshme, pritet që të tejkalohet.

Por, në anën tjetër, Petroviq ka theksuar se edhe në qoftë se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në rast të moszgjidhjes së ngërçit, Lista Serbe do të jetë e gatshme për ato zgjedhje, pavarësisht se një variant i tillë, siç ka thënë ai, do të ishte i padëshirueshëm edhe për të.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG