Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti nuk ka arritur të ofrojë punësim sezonal jashtë vendit për qytetarët e Kosovës.

Ekzekutivi i Kosovës ka një bashkëpunim për punësim sezonal më shtetin e Gjermanisë, kurse marrëveshje të nënshkruar ka me Zvicrën dhe Principatën e Litershtanjit.

Edhe pse nga autoritetet kompetente dhe njohës të kësaj çështjeje, ky proces është konsideruar si i nevojshëm, ekzekutivi i vendit nuk ka arritur që të arrijë ndonjë marrëveshje të re ndërshtetërore me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Hafiz Leka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se studentët të cilët kanë qenë vitin e kaluar përfitues të punësimit sezonal, mund të kenë shkuar edhe gjatë këtij viti, por që Ministria nuk ka informacione zyrtare.

Gjatë këtij viti, sipas tij, dy qytetarë janë përgatitur që të shkojnë, por që ende nuk kanë shkuar, thotë Leka.

“Jo në mënyrë institucionale ose konform atij bashkëpunim me qendrat federale të punësimit të Gjermanisë. Gjatë këtij viti nuk është zhvilluar i njëjti bashkëpunim. Sepse në janar të këtij viti ka qenë një ngërç, për shkak të ngritjes së shërbimeve”, thekson Leka.

Disa të rinj në Kosovë me dëshirë do të shkonin për punësim sezonal në shtete të ndryshme të Evropës.

Ardit Leka, thotë se tashmë fillon viti i ri akademik, por që vitin e ardhshëm me dëshirë do të shkonte dhe të punonte punë nga më të ndryshmet.

E rëndësishme, sipas tij, është që të sigurojë mjete materiale për të financuar studimet.

“Kosova duhet të ketë marrëveshje për punësim sezonal. Unë papërtesë do të shkoja sepse do të fitoja para dhe do t'i ndihmoja vetes dhe familjes”, shprehet Arditi.

Edhe i riu tjetër, Meriton Krasniqi, nga komuna e Vushtrrisë, i cili nuk punon askund, thotë se po t'i jepej mundësia si në Kosovë, por edhe jashtë, me dëshirë do të shkonte të punonte në ndonjë shtet të Evropës.

"Oferta për punësim sezonal nuk ka, unë jam shumë i interesuar, kam pyetur njerëz, kam shikuar internetin, por e kotë...Me dëshirë do të shkoja në ndonjë shtet të Evropës”, shprehet Meritoni.

Megjithatë, Hafiz Leka thotë se interesimi i të rinjve për mundësitë dhe procedurat e punësimit sezonal është shumë i madh.

“Ne kemi qendrën për shërbim dhe migracion që funksionon që gjashtë vjet dhe ajo qendër është në shërbim të të gjitha kategorive dhe studentëve të cilët janë të interesuar të kenë më shumë informacione për mundësitë e punësimeve sezonale në shtetet e BE-së. Por Kosova deri më tani nuk mund t'i referohemi ndonjë marrëveshjeje, sepse Kosova deri më tani nuk ka arritur që të ketë marrëveshje, arsye pse Kosova nuk është anëtare e BE-së”, bën të ditur Leka për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, Leka nuk e përjashton mundësinë që edhe mos funksionalizimi i institucioneve pas zgjedhjeve të tetë qershorit, të ketë ndikuar në procesin e punësimit sezonal.

Siç thotë ai, vitin e kaluar, ka pasur projekte më shumë, kurse gjatë këtij viti ka qenë një numër i vogël i projekteve për punësim sezonal.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG