Ndërlidhjet

Ruajtja e trashëgimisë kulturore


Për vite me radhë në Prishtinë organizohet panairi i artizanateve dhe i trashëgimisë kulturore.

Pjesëmarrësit e këtë panairi theksojnë se trashëgimia kulturore është duke u ruajtur, por kërkohet një përkushtim më i madh nga gjeneratat e reja.

Ata thotë po ashtu se përkrahja nga ana e institucioneve, si të nivelit lokal, po ashtu edhe e atyre qendrore, nuk është në nivelin e duhur.

Zana Hajdari nga Komuna e Lipjanit, e cila në ketë panair kishte sjellë gjësende të ndryshme të punuara nga tekstili, thotë se ka interesim për produktet e saja.

Ajo tregon se kërkesat me të mëdha i ka nga shqiptarët e diasporës.

“Kam porosi të ndryshme që më vijnë me internet. Interesimi më i madh është nga vajzat, nga mërgimtarët dhe shumë ka shitje kur ata janë këtu. Tradita po vazhdon te ne brez pas brezi. Unë jam duke punuar tash por edhe vajza ime ka interesim”, tha Hajdari.

Rabije Spaho nga Shqipëria, qyteti i Elbasanit, tregon se gjithmonë në panaire e tilla është e pranishme për të prezantuar produktet e saj.

Zonja Spaho, në panair kishte sjell veshje kombëtare. Ajo mendo se çdo familje shqiptare duhet të ketë në shtëpi diçka tradicionale.

“Interesimi është shumë i madh, por njerëzit janë të varfër dhe nuk po mund t’i blejnë disa produkte, por unë punën time e bëj”, tha ajo.

Hasan Ndrecaj, nga komuna e Suharekës, i cili na panair prezantohet me disa figura të gdhendura nga druri, konsideron se qytetarët e Kosovës nuk janë duke e ruajtur siç duhet trashëgiminë e tyre.

Ndrecaj derisa flet i emocionuar për zanatin e tij, thotë se atë e ka trashëgim nga babai.

“Më ka lindur ideja t'i ripërtërij 130 punime. Tradita mendoj se nuk po ruhet. Qytetarët pyesin dhe shikojnë, dhe mendoj se tradita as 40% nuk po ruhet. Edhe ka gjëra te ndryshme, çmimet nuk janë të larta, 5 euro, 10 euro, po ai shkon në një kafiteri dhe i shpenzon, por keto produkte 100 vjet kanë qënderueshmëri”, tha Ndrecaj.

Ganimete Artuna nga Shkodra, thotë se të ardhurat e familjes i siguron nga shitja e produkteve të saj të punuar me penj.

Ajo thekson se për trashëgiminë është e rëndësishme që dikush të merret me të.

“Siç po e shihni, ne këtu kemi qilima, çanta dhe të tjera që të gjitha i bëjmë vet. Ne po merremi me trashëgiminë, por varet se sa po përcillet te femijët tanë”, tha Artuna.

Shtatëdhjetenjë vjetari nga rrethi i komunës së Gjakovës, i cili kishte dalë në panair për të shitur instrumente frymore, si fyell e të tjera, tha se interesimi për produktet e tij nuk është i madh.

Ai thotë se gjeneratat e reja tash po kanë gjëra më interesante, si interneti e futbolli.

“Janë duke e humbur këtë trashëgimi, tash po shikojnë në internet, televizione, lojë topi, nuk kanë qejf me i ra fyellit. Unë po merrem me ketë punë, a e kam keq a mirë nuk e di, por njerëzit shumë pak po i kërkojnë”, tha ai.

Artizanët për 10 vjet me radhë marrin pjesë në panaire të tilla dhe sjellin produkte e tyre të punuara në mënyrë unike në tekstil, dru, gurë, metale, kostume popullore, punime në vekë, enë dheu dhe gjithashtu kostume popullore dhe ushqime tradicionale vendore dhe rajonale.

Kosova në vitin 2005 e ka fituar të drejtën nga Këshilli i Evropës dhe KE që të jetë shteti i 49 i cili mund të organizojë aktivitete me qëllim të shënimit të trashëgimisë kulturore evropiane.

Ky panair është manifestimi më i madh i artizanatit në Kosovë, i cili ndihmon promovimin e vlerave të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe integrimin në mes të komuniteteve të ndryshme të Kosovës dhe rajonit.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG