Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Bota të shkatërrojë “rrjetin e vdekjes”

  • RFE /RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka bërë thirrje botës që të ndihmojë në shkatërrimin e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Ai e ka quajtur këtë grup “rrjet të vdekjes”.

“Nuk mund të ketë arsye dhe as negociata me këtë sinonim të së keqes. Gjuha e vetme e kuptueshme nga vrasësit është gjuha e forcës", ka thënë Obama.

Presidenti amerikan i ka bërë këto komente para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai ka thënë se mbi 40 vende janë ofruar që t’i bashkohen koalicionit kundër Shtetit Islamik.

“Shtetet e Bashkuara do të punojnë me një koalicion të gjerë për të shkatërruar këtë rrjet të vdekjes. Në këtë përpjekje, ne nuk jemi vetëm. Por, nuk e kemi ndërmend të dërgojmë këmbësorinë në tokat e huaja. Ne do të përdorim ushtrinë tonë në fushata ajrore kundër Shtetit Islamik”, ka thënë Obama.

Ai është zotuar se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, do të punojë për të ndaluar financimet e grupit xhihadist, si dhe për të ndaluar rrjedhjen e luftëtarëve në dhe jashtë rajonit.

Obama ka thënë se Uashingtoni nuk do të lejojë streha të sigurta për terroristët dhe nuk do t’i lejojë ata që të veprojnë si forcë pushtuese.

Ai u ka bërë thirrje komuniteteve myslimane që të refuzojnë “në mënyrë të qartë dhe me forcë” ideologjinë e grupit.

“Është koha për botën, sidomos komunitetet myslimane, që në mënyrë të qartë, me forcë dhe vazhdimisht të refuzojnë ideologjinë e Al Kaidës dhe Shtetit Islamik. Është detyrë e të gjitha feve të mëdha që të akomodojnë besimin e devotshëm në një botë moderne dhe multikulturore. Asnjë fëmijë nuk lind me urrejtje. Dhe, asnjë fëmijë nuk duhet të edukohet për të urrejtur njerëzit tjerë. Nuk duhet të ketë tolerancë për të ashtuquajturit klerikë që u bëjnë thirrje njerëzve që të dëmtojnë të pafajshmit, sepse ata janë hebrenj, të krishterë ose myslimanë”, ka thënë Obama, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë dhe nuk do jenë kurrë në luftë me Islamin.

Militantët sunitë të Shtetit Islamik kanë pushtuar territore të mëdha të Sirisë dhe Irakut, duke detyruar komunitete të tëra që të largohen nga shtëpitë. Ata u kanë prerë kokat disa pengjeve perëndimore dhe kanë persekutuar të krishterë, jazidisë dhe shiitë, të cilët i konsiderojnë si të pafe.

Gjatë fjalimit të tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Obama ka folur edhe për “agresionin” e Rusisë në Ukrainë.

Ai ka thënë se aneksimi i Krimesë nga Moska në muajin mars kujton kohën “kur kombet e mëdha kanë shkelur kombet e vogla në ndjekje të ambicieve territoriale”. Por, Obama është zotuar se Uashingtoni do të qëndrojë fuqishëm përkrah Ukrainës.

“Amerika dhe aleatët tanë do të mbështesin popullin e Ukrainës, i cili po zhvillon demokracinë dhe ekonominë. Ne do të forcojmë aleatët tanë të NATO-s dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë për mbrojtje kolektive. Do t’i vendosim kosto Rusisë për agresionin. Do t’i nxisim të tjerët që të bashkohen me ne në anën e drejtë të historisë”, ka thënë Obama.

Ai ka shtuar se armëpushimi midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës i hap derën paqes, nëse Kremlini e respekton atë.

“Nëse Rusia merr këtë rrugë – rruga që në periudhën pas Luftës së Ftohtë ka rezultuar me prosperitet për popullin rus – ne do t’i heqim sanksionet tona dhe do të mirëpresim rolin e Rusisë në adresimin e sfidave të përbashkëta”, ka thënë Obama.

Presidenti Obama, gjatë fjalimit të tij, është ndalur edhe te Irani, përkatësisht programi i tij bërthamor. Fuqitë botërore janë duke negociuar me Republikën Islamike në përpjekje për ta bindur atë që të kufizojë aktivitetin bërthamor, për të cilin druajnë se ka për qëllim krijimin e armës atomike.

“Amerika po ndjek një zgjidhje diplomatike për çështjen bërthamore të Iranit, si pjesë e angazhimit tonë për të ndaluar përhapjen e armëve bërthamore dhe për të ndjekur paqen dhe sigurinë në botë, pa to”, ka thënë Obama.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka nisur të mërkurën sesionin e saj vjetor në selinë e OKB-së në Nju Jork, që do të zgjasë deri më 30 shtator. (v.tela)

XS
SM
MD
LG