Ndërlidhjet

Militantët e Shtetit Islamik mund të kenë përbërë kryetitujt e lajmeve kohët e fundit. Por, kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka nisur sulmet në Siri, një grup ekstremist, më pak i njohur, ka dalë në pah.

Grupi Khorasan është një degë e Al Kaidës, që, sipas zyrtarëve amerikanë, ka planifikuar sulme në Evropë dhe në SHBA. Dhjetëra sulme ajrore amerikane kanë bombarudar pozicionet e Khoarasnit dhe kampet e tyre trajnuese, këtë javë në verilindje të Sirisë.

Ai është një grup radikal islamik me bazë pranë Alepos. Ndryshe nga Shteti Islamik, i cili ka bërë bujë për avancimet spektakulare në Irak, Khorasan ka mbajtur një profil të ulët.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka përshkuar atë si “rrjet të veteranëve të kalitur të Al Kaidës”. Grupi besohet se përbëhet nga operativë të Al Kaidës nga Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Afrika Veriore.

Zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ben Rhodes, ka thënë se grupi përfshin “operativë kryesorë të Al Kaidës nga Afganistani dhe Pakistani, që kanë bërë rrugën e tyre në Siri”.

Kongresisti amerikan, Mike Rogers, i cili kryeson Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë se Khorasan punon me degën e Al Kadiës në Jemen për të krijuar bomba për rrëzimin e aeroplanëve.

Pentagoni, ndërkaq, e ka cilësuar Khoarasanin si degë të Al Nusrës. Al Nusra, degë e Al Kaidës në Siri, ka reputacionin e një prej grupeve më brutale dhe më efektive që luftojnë Qeverinë siriane. Shumë luftëtarë të saj kanë dezertuar te Shteti Islamik gjatë vitit të kaluar.

Ekspertët thonë se është e paqartë se sa anëtarë ka Khorasani dhe për sa kohë ekziston.

Uashingtoni, në anën tjetër, beson se grupi është duke përdorur konfliktin në Siri si katalizator për të kryer sulme kundër Perëndimit. Zëdhënësi i Pentagonit, admirali John Kirby, i ka thënë televizionit Alhurra më 23 shtator se Khorasan ka qenë në fazën finale të planifikimit të një sulmi kundër caqeve perëndimore.

“Grupi Khorasan, degë e Al Kaidës dhe nën-ndarje e Al Nusrës, ka qenë në fazat finale të planifikimit të një sulmi kundër objektivave perëndimore, ndoshta në Evropë, ndoshta në SHBA. Ashtu siç i kemi luftuar terroristët në gjithë botën gjatë 13 vjetëve të fundit, ashtu do të vazhdojmë të luftojmë grupe si Khorasani, të cilat vazhdojnë të planifikojnë dhe komplotojnë sulme të dhunshme kundër interesave tona dhe interesave të aleatëve tanë”, ka thënë Kirby.

Gjenerali William Mayville, drejtor i operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, thotë se grupi qartazi nuk është i fokusuar te populli sirian ose te regjimi i presidentit, Bashar al-Assad.

“Ata janë duke krijuar rrënjë në Siri, me qëllim të kryerjes së sulmeve kundër Perëndimit”, thotë ai. Mayville po ashtu paralajmëron se Khorasan është duke rekrutuar luftëtarë të huaj, të cilët mund të përdorin pasaportat e tyre perëndimore për t’u kthyer në vendet e tyre dhe për të kryer sulme atje.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, James Clapper, ka thënë javën e kaluar se në aspektin e kërcënimit, Khorasani mund të paraqesë rrezik sikur edhe militantët e Shtetit Islamik.

Max Abrahams, analist i çështjeve të terrorizmit në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se ajo që e dallon Khorasanin prej grupeve tjera militante në Siri, përfshirë Shtetin Islamik, është se armiku i tij i vetëm është Perëndimi.

Edhe pse Shteti Islamik është shumë ndërkombëtar sa u përket anëtarëve, ka vrarë gazetarë amerikanë dhe ka kërcënuar në mënyrë retorike se do të sulmojë SHBA-në, grupi Khoarasan është edhe më shumë i përqendruar në sulmet ndërkombëtare. Khorasan nuk është i interesuar në krijimin e kalifatit dhe në përmbysjen e Assadit”, thotë Abrahms.

Khorasan udhëhiqet nga Muhsin al-Fadhli, 33 vjeç, i cili vjen nga Kuvajti. Deri së voni, ai ka qenë i vendosur në Iran, nga ku besohet se ka mbledhur fonde dhe ka organizuar mbështetjen logjistike për anëtarët e Al Kaidës në Siri.

Ekspertët thonë se emri Khorasan i referohet një rajoni në Iran, por edhe një zone gjeografike që përfshin pjesë të Iranit, Afganistanit dhe Azisë Qendrore.

Fadhli, operativ veteran i Al Kadiës, është kërkuar nga Uashingtoni për më shumë se një dekadë.

Deparatamenti i Shtetit e ka përshkuar atë si “lehtësues dhe financues të lartë” të Al Kaidës dhe ka ndarë një shpërblim prej 7 milionë dollarësh për informacionet për vendndodhjen e tij në vitin 2012.

Fadhli po ashtu besohet se ka pasur marrëdhënie të ngushta me udhëheqësin e vrarë të Al Kaidës, Osama bin Laden. Ai po ashtu ka luftuar kundër forcave ruse në Çeçeni.(v.tela)

XS
SM
MD
LG