Ndërlidhjet

Mbështetja që Maqedonia i ka dhënë koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja në luftën kundër Shtetit Islamik, është vlerësuar pozitivisht edhe pse kjo mbështetje nuk do të jetë në përmasat siç kanë fuqitë tjera ndërkombëtare.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, pas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, se vendi politikisht është pjesë e koalicionit, kurse për pjesën praktike të mbështetjes do të bisedohet mes partnerëve të koalicionit dhe se vendimet do të sillen në përputhje me prioritetet dhe mundësitë e çdo shtetit pjesëmarrës në luftën kundër terrorizimit.

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik, thotë se kontributi i Maqedonisë do të jetë modest, para së gjithash mund të përqendrohet në këmbimin e ndonjë informacioni për shkak të kapaciteteve dhe fuqisë së kufizuar ushtarake.

“Maqedonia nuk ka kapacitete që të merr pjesë aktive në operacione ushtarake apo luftarake. Ajo eventualisht mund të angazhohet në këmbimin e informacioneve dhe këtu edhe përfundon kontributi i saj. Por, sidoqoftë është pozitive të theksohet fakti se ajo shpreh gatishmërinë për të dhënë kontributin e saj dhe kjo ka domethënie në aspektin politike“, thotë Ramadani.

Njohësi i çështjeve ushtarake, Bllagoja Markovski thotë se Maqedonia mund të përfshihet në mbështetjen praktike të luftës kundër shtetit Islamik.

Ai thotë se vendi mund të përfshihet edhe me pjesëmarrjen direkte në veprimet luftarake në territorin e shtetit Islamik, por edhe përmes formave tjera.

“Këtu para së gjithash mendoj në këmbimin e informacioneve për neutralizimin e aktiviteteve të strukturave terroriste dhe ndërprerjes së lidhjeve të komunikimit brenda apo jashtë vendit“, thotë Markovski.

Ai thotë se terrorizimi në suaza ndërkombëtare, po rrezikon sigurinë dhe paqen globale andaj edhe nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të veprimeve në luftën kundër këtij fenomeni.

Ai vlerëson se Maqedonia ka mundësi për përfshirje në këtë koalicion, jo vetëm politikisht por edhe me veprime praktike për të luftuar këto struktura terroriste, edhe jashtë shtetit islamik.

“Maqedonia ka mundësi që të përfshihet në koalicionin antiterrorist, jo vetëm me aktivitete politike, por edhe drejtpërdrejt të marrin pjesë në kuptimin e krijimit të kushteve për parandalimin e veprimeve të grupeve terroriste jo vetëm brenda Maqedonisë, por edhe jashtë saj“, shprehet Markovski.

Por, një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se Maqedonia nuk mund të përfshihet në operacione luftarake, por kjo mund të ndodhë në periudhën e pas konfliktit.

Maqedonia me trupa ushtarake merr pjesë në misionet paqësore në Afganistan dhe Irak, por pjesëmarrja e tyre ka nisur pas përfundimit të operacioneve ushtarake të shteteve të koalicionit antiterrorist.

XS
SM
MD
LG