Ndërlidhjet

Sa kushtojnë arkat fiskale?


Ilustrim ©Shutterstock
Ilustrim ©Shutterstock

Dilemat dhe pakënaqësitë e naftëtarëve rreth procesit të fiskalizimit, kanë detyruar Shoqatën e Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, që të mbajnë konferencë për media, ku kanë demantuar siç thuhet, spekulimet e shoqatës së naftëtarëve rreth kompanive të licencuara për pajisje elektronike.

Vendimi për montimin e pajisjeve specifike fiskale në aparatet e pikave të shitjes së karburanteve të naftës është dhënë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Ky proces kishte nisur në fillim të këtij viti, ku edhe janë fiskalizuar disa operatorë të naftës, por është pezulluar pas kërkesës se naftëtarëve se ka monopol në treg dhe se nevojitet numër më i madh i kompanive që merren me shitjen e këtyre aparateve, pasi çmimi i pajisjeve të aparateve fiskale ka kosto shumë të lartë.

Udhëheqës të Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, kanë thënë se treg nuk ka monopol, pasi ekzistojnë katër kompani të licencuara, dy prej tyre janë certifikuar për sisteme fiskale për pompa.

Sipas kësaj shoqate, çmimi për dy dispanser për një pikë të shitjes kushton nga 5,000 deri në 6,500 euro, përfshirë këtu Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Arkat që ofrohen në Kosovë sipas shoqatës janë të sigurta dhe asnjë biznes nuk mundet t’i shmanget tatimit në momentin që instalohen dhe përdor arkën fiskale.

Besim Gjikolli, udhëheqës i kompanisë “GEKOS”, kompani kjo e licencuar për pajisje elektronike, njëherësh kryetar i Shoqatës se Operatorëve të Licencuar, tha se asnjë operator nuk mund të dalë me çmime pa kaluar në procesin e licencimit dhe certifikimit të pajisjeve.

Çmimet zyrtarisht janë të dërguara në Administratën Tatimore, për secili operatorë nga ta është kërkuar që të specifikohet se sa kushton zbatimi i fiskalizimit të një pikë të shitjes. Çmimet ndryshojnë varësisht prej operatorëve, numrit të dispansereve dhe zgjidhjes. Por, çmimet mesatare, fillon prej 5,000 euro për dy dispansera", thotë Gjikolli për Radion Evropa e Lirë.

Obligimet financiare të operatorëve të karburanteve të naftës nuk përfundojnë vetëm më montimin e pajisjeve speciale, pasi për çdo vit, ata janë të detyruar të paguajnë afër 150 euro për mirëmbajtjen dhe kontrollin e tyre vjetor.

Ndryshe, për mes këtij projekti Administrata Tatimore e Kosovës pritet të ketë kontroll më të madh, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet në çdo pikë të shitjes.

Por, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, përsëritë qëndrimin se nuk janë kundër fiskalizimit, por çmimit shumë të lartë të pajisjeve fiskale.

Ai ndërkaq tregon se kompani tashmë të pajisura më këto lloj aparatesh kanë paguar deri në 8,000 euro për dy dispanserë.

"Çmimet janë enorme, këto çmime nuk janë askund në Evropë. Ata po mashtrojnë opinionin, sepse një klientë yni nga Suhareka ka paguar 8,500 euro për dy dispanserë. Shoqata e Naftëtarëve është për ri-fiskalizim me operatorë sa më shumë dhe çmimi të jetë sa më i lirë”, thekson Berjani.

Ndryshe, ditë më parë kjo shoqatë ka kërkuar nga misioni i EULEX-i, përkatësisht nga Prokuroria Speciale, që të fillojë procedurë hetimore ndaj operatorëve ekonomik të cilët janë autorizuar nga Ministria e Financave për fiskalizimin e pikave të karburanteve.

Por, Shoqata e Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të përshpejtojnë përpjekjet për të mbyllur këtë proces më fiskalizimin e të gjitha bizneseve aktive në Kosovë.

Ndryshe, Administrata Tatimore e Kosovës tashme ka paralajmëruar se që nga muaji shtator vazhdon procesi i fiskalizimit të operatorëve të karburanteve të naftës dhe të gjithë ata që nuk i përgjigjen kërkesës ligjore për t’u pajisur më pajisje elektronike fiskale, do të jenë objekt i përndjekjes për shkelje penale sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

XS
SM
MD
LG