Ndërlidhjet

Këshilli ministror i anëtarëve të Komunitetit të energjisë konstatuar se Serbia i ka shkelur rregulloret në fushën e gazit, për shkak se nuk i ka ndarë aktivitetet në ndërmarrjet e “Serbiagasit” dhe në “Jugorosgas”, me kërcënimin se kjo mund të ndikojë në mënyrë konsiderueshme në procesin e pranimit në Bashkimin Evropian.

Sipas rregulloreve evropiane, gjegjësisht, kontratës regjionale, Serbia, sikurse edhe vendet tjera të regjionit, ka pasur detyrim që qysh në vitin 2007, qartësisht t’i ndajë kompetencat për prodhimin dhe transferimin e gazit.

Janë dy kompani shtetërore në Serbi,me të cilat merren me këtë çështje, Srbiagas dhe Jugorosgas, 50 për qind e të cilit është pron e Gaspromit rus.

Jugorosgaz, në vjeshtën e vitit 2013, ka themeluar nën-kompaninë e saj për transportin e gazit, por në Komunitetin e energjisë vlerësojnë se kjo nuk është e mjaftueshme për të siguruar një vendim-marrje të pavarur brenda kompanisë dhe kjo e pengon konkurrencën në tregun e gazit.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se lidhur me obligimet që Serbia ka në këtë drejtim, po punon me Bashkimin Evropian që të shoh se çfarë mund të bëhet. Sipas tij, nuk ekziston rreziku real që Serbisë t’i rrezikohet integrimi evropian.

“Nuk mendoj se kjo është reale. Por, e dimë se çfarë kemi si qëllim strategjik dhe ky është anëtarësimi në BE. Por, gjithashtu, nuk do ta rrezikojmë në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim mbijetesën e Serbisë. Po ashtu, as nuk do t'i vëmë sanksione Rusisë e as nuk do të sillemi në mënyrë armiqësore, në çfarëdo mënyre qoftë”, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe, anëtare të Komunitetit të energjisë të Evropës juglindore janë: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Ukraina, Serbia, Kosova dhe Bashkimi Evropian.

Siljka Pishtolova, redaktore e faqes Balkan Observer, thotë se esenca e gjithë kësaj është pengimi i monopolit në tregun e energjisë, pra edhe të gazit.

Sipas saj, sa i përket gazit, Serbia ekskluzivisht varet nga Rusia, nga tubacioni që kalon nëpër Hungari.

“Objektivi kryesor, kur kemi të bëjmë me Bashkimin Evropian, është që të bëhet mundësia e shumëllojshmërisë, në mënyrë që ju si blerës të keni të drejtën që të zgjidhni se nga kush doni të blini, përmes kujt dëshironi ta transportoni dhe jo që një partner, në të njëjtën kohë të jetë shitësi dhe transportuesi. Kemi të bëjmë me monopol. Paramendoni që të jeni amvise dhe që gjithë jetën të ju duhet të blini molla vetëm nga një person. A do të pranonit diçka të tillë? Jo”, theksoi Pishtolova.

Mijat Lakiçeviq, redaktor i Novi Magazin, shpreh mendimin se shkaktar që Serbia nuk po i përmbushë obligimet e kontratës është fakti se Serbiagas, si kompani vendore e cila merret me prodhimin dhe shpërndarjen e gazit, është e varur nga Rusia, apo siç e quan ai, "Vëllai i madh".

“Me siguri se kjo çështje do të kryhej, po të mos ishte kontrata për Rrjedhjen e jugut, sepse ne varemi nga Rusia. Nëse Rusia neve nuk na e lejon, ne për këtë as që pyetemi. Do të thotë, nëse Rusia nuk dëshiron ta bëj këtë, atëherë as Serbiagas nuk mund të bëj këtu asgjë, sepse është, ta quajmë, vëllai i vogël”, ka thënë Lakiçeviq.

Por, Siljka Pishtolova, konsideron që përgjegjësia për disa veprime strategjike është tek firma vendore.

“Mua më habit Serbiagas, si kompani. Për shembull, pse nuk është lidhur me Rumaninë? Për këtë nevojitet një tubacion prej 100 km, gjë që në energjetikë është shpenzim i vogël. Pse më herët nuk është lidhur me Bullgarinë? Bullgaria do ta marrë gazin grek, ndërkaq, përmes Turqisë edhe gazin e Azerbajxhanit. E ne, varemi vetëm prej Rusisë”, u shpreh Pishtolova.

Rrjedhja e jugut, tubacion ky rus që përmes Bullgarisë dhe Serbisë duhet të hyj në Evropë, është pengesë.

Bashkimi Evropian e ka ndërprerë ndërtimin e tubacionit në Bullgari. Ky kontest duhet të zgjidhet në të ardhmen.

Lakiçeviq thotë se çështja ende nuk ka përfunduar.

“Tash për tash kjo çështje ende nuk ka përfunduar në mënyrë definitive, aq më shumë që disa vende të Bashkimit Evropian kanë interes të madh që Rrjedhja e jugut, megjithatë, të funksionoj, sepse atyre ju mungon gazi. Unë mendoj se rreth kësaj çështje edhe më tej do të zhvillohen bisedime dhe është e mundur që të arrihet deri te një marrëveshje”, tha Lakiçeviq.

Kryeministri serb Vuçiq, ka shprehur mendimin se fati i Rrjedhës së jugut varet nga marrëveshja ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Evropian.

Po bisedojmë dhe do të bisedojmë edhe më tutje me Bashkimin Evropian për Rrjedhën e jugut. Unë nuk e fsheh faktin se Rrjedha e jugut është kontratë shumë e mirë për Serbinë. Unë këtë ua kam thënë edhe zyrtarëve të BE-së, me të cilët kam biseduar. Me sa dëgjoj, kryetari Putin do të shkoj në Milano, në Itali, me 16 tetor. Kështu që, pres që edhe atje të vazhdojnë bisedimet”, theksoi Vuçiq.

Ndryshe, Komisioni Evropian, konsideron se të gjitha kontratat që i ka nënshkruar Moska me vendet në Bashkimin Evropian dhe me Serbinë për Rrjedhën e jugut, në një masë i shkelin rregulloret e BE-së.

Për këtë arsye, Bullgarisë i është dashur që ta ndërpres ndërtimin e tubacionit, sepse është vlerësuar se me rastin e vendimit që ndërtimi ti besohet një kompanie ruse, është shkelur rregullorja për prokurim publik transparent dhe për tenderin e detyrueshëm për kontraktuesit.

Siç është thënë, Serbia mund ta vazhdojë ndërtimin, për shkak se nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por, duhet të respektohet rregullorja e Komunitetit të energjisë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG