Ndërlidhjet

Gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovë janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe, në nivelin lokal gjuha turke në Prizren dhe Mamushë, ndërsa gjuha boshnjake në komunat e Dragashit, Pejës dhe Prizrenit.

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës, kanë theksuar se çështja e respektimit të gjuhëve ka përparime, por kërkohet edhe me tej një përkushtim më i madh në këtë drejtim.

Komisionari për gjuhët në Qeverinë e Kosovës, Sllavisha Mlladenoviq deklaroi se institucionet kompetente duhet që të ndërmarrin masa për promovimin, përdorimin dhe statusin e barabartë të gjuhëve zyrtare, si dhe për të siguruar mbrojtjen e gjuhëve të komuniteteve, gjuha amtare e të cilëve nuk është gjuhë zyrtare.

“Sigurisht se ka përparime, por nuk është i mjaftueshëm”, tha Mlladenoviq.

Raportohet se shumica e komunave të Kosovës nuk kanë respektuar obligimet e gjuhësore për emrat dhe shenjat e rrugëve, të cilat shpesh kanë shqiptim të gabuar, apo janë të dëmtuara duke u bërë të palexueshme.

Edhe komisionari Mlladenoviq ka përmendur këtë dukuri.

“Rastet e tilla të mbishkrimit apo të shlyerjes së shenjave të komunikacionit janë të shumtat në Kosovë. Ju them se kjo nuk ndodh vetëm me mbishkrimet në gjuhen serbe, por ndodh edhe me mbishkrimet në gjuhën shqipe në veri të Kosovës, kjo sa për të thënë se jemi goxha të ngjashëm. Në këtë drejtim duhet bërë shumë më shumë në drejtim të vetëdijesimit të njerëzve dhe pastaj të zhvillimit të kulturës shumë gjuhëshe të popullit, në përgjithësi në Kosovë që të kuptohet jeta e tillë shumetnike”, tha Mlladenoviq.

Komisioni i Gjuhëve është themeluar në vitin 2007 për të siguruar përdorim të barabartë të gjuhëve zyrtare në pajtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Edhe zyrtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që në qendër të Prishtinës kanë organizuar aktivitete të ndryshme për promovimin e shumë gjuhësive, kanë deklaruar se Kosova është duke përparuar në respektimin e gjuhëve.

“Në këtë drejtim do të doja të bëj një lëvdatë për përparimin që është bërë nga institucionet e Kosovës në formimin e kornizës ligjore dhe atë të politikave për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore. Një arritje e rëndësishme në këtë kuptim ka qenë themelimi i zyrës së komisionarit të gjuhëve si mekanizëm i pavarur në nivel qendror, qëllimi i së cilës është që të promovojë të drejtat gjuhësore”, tha Nil Tobin, shef i zyrës rajonale për Prishtinë.

Në një botim të OSBE-së, të publikuar në muajin qershor për gjuhët, thuhet se “Ligji për përdorimin e gjuhëve vazhdon të jetë vetëm pjesërisht i zbatuar, si pasojë e burimeve të pamjaftueshme njerëzore dhe financiare, shpeshherë shoqëruar me mungesë të kuptimit të mjaftueshëm të detyrimeve ose mungesë të vullnetit politik”.

Nga ana tjetër, Sandra Cvetkoviq, gazetare nga komuna e Graçanicës, e cila udhëton çdo ditë deri në Prishtinë, ku edhe punon, tregon se kupton gjuhën shqipe, por flet shumë pak.

Ajo thekson se ka problem me institucione të ndryshme të cilat komunikatat për media nuk i dergojnë në dy gjuhët zyrtare por vetëm në atë shqipe.

“Ne humbin shumë kohë deri sa t’i përkthejmë ato në gjuhën serbe. Mirë është që njëri të flas gjuhë të ndryshme, por mendoj se derisa zgjat procesi i të mësuarit të gjuhës, për shembull i gjuhës shqipe, mendoj se do të ishte mirë të respektohet dygjuhësia”, tha Cvetkoviq

Edhe Avdi Misini, nga Prizreni, gazetar nga radhët e komunitetit rom, thotë se komuniteti i tij në pergjithësi ka probleme, sidomos për ruajtjen e gjuhës amtare.

“Edhe pse gjatë 20 vjetëve të fundit ka pasur iniciativa për mësimin e gjuhës rome, kjo për fat keq nuk u realizua për shkak te mungesës së kuadrove. Kjo sjell shumë probleme në ruajtje dhe kultivim të gjuhës rome në Kosovë”, shprehet Misini.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG