Ndërlidhjet

logo-print

Potenciali i zgjerimit të Shtetit Islamik


Tre militantët afganë ulur nën flamurin e Shtetit Islamik, me fytyrat e tyre të mbuluara.

Tre militantët afganë ulur nën flamurin e Shtetit Islamik, me fytyrat e tyre të mbuluara.

Tashmë ka shenja se militantë në Afganistan janë të etur për t’iu bashkuar xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Në një video dërguar Radios Afganistani i Lirë, këtë javë, shihen tre militantë afganë ulur nën flamurin e Shtetit Islamik, me fytyrat e tyre të mbuluara.

Duke folur në dialektin e Ghaznit të gjuhës Pashto, zëdhënësi i treshes thotë se përfaqëson një grup të quajtur Organizata Islamike e Afganistanit të Madh dhe thekson gatishmërinë e tij për të luftuar me Shtetin Islamik dhe “kalifin” e tij, Abu Bakr al-Baghdadi.

Zëdhënësi i paidentifikuar u bën thirrje të gjithë militantëve në Afganistan dhe në zonat fisnore të Pakistanit që të bashkohen nën flamurin e Shtetit Islamik.

Tani për tani, ai, megjithatë, duket i përqendruar në agjendën e tij nacionaliste, pasi qëllimi i Shtetit Islamik është bashkimi i të gjitha tokave myslimane në një kalifat.

Ndërsa, ai vazhdimisht bën thirrje për sulme në “shtetin punxhabi” të Pakistanit, akuzon udhëheqësit talibanë të Afganistanit se punojnë për interesat e Islamabadit dhe thotë se Shteti Islamik është fuqia e vetme për të çliruar bashkatdhetarët e tij.

Videoja është dërguar një javë pasi një telefonues anonim ka kontaktuar korrespondentin e Radios Afganistani i Lirë në provincën Ghazni dhe ka pretenduar se përfaqëson Shtetin Islamik në Afganistan. Edhe pse duket se ka për qëllim për të përforcuar pohimet e telefonuesit, videoja nuk ofron ndonjë detaj për madhësinë apo forcën e grupit.

Kjo e bën të pamundur të dihet nëse grupi në video ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shtetin Islamik. Por, përdorimi i simboleve të këtij grupi dhe nderimi me të cilin zëdhënësi i referohet grupit lë hapësirë për potencialin e zgjerimit të tij në rajon.

Disa shërbime të inteligjencës besojnë se Shteti Islamik po kërkon në mënyrë aktive anëtarë të rinj në Afganistan.

Një diplomat rus në Afganistan ka thënë këtë javë se disa burime të tij kanë raportuar se Shteti Islamik ka hapur tashmë një zyrë.

E dimë se rreth 100 anëtarë të Shtetit Islamik kanë depërtuar këtu”, ka thënë Zamir Kabulov, përfaqësues special i presidentit rus, Vladimir Putin, në Afganistan.

“Me sa kuptoj unë, Shteti Islamik i sheh talibanët apo edhe Al Kaidën si model konservativ dhe pak të vjetruar. Ata e paraqesin veten si një ideologji të re, e cila është më agresive dhe më e avancuar”, ka thënë ai.

Nëse Shteti Islamik kthehet në drejtim të lindjes, ai ka të ngjarë të hyjë në garë me talibanët, lëvizjen dominuese militante në rajon.

Një komandant i grupit Hizb-i-Islami, i cili lufton përkrah talibanëve në Afganistan, i ka thënë BBC-së javën e kaluar se ai është “i sigurt” se udhëheqja e tij do të lidhte aleancë me Shtetin Islamik. Nuk është e qartë nëse komandanti, me emrin Mirvais, ka folur vetëm për veten apo edhe të tjerët.

Reuters ka raportuar po ashtu javën e kaluar se një fraksion i talibanëve pakistanezë, i njohur si Jamat-ul Ahrar, është i gatshëm të shqyrtojë ftesat për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Shteti Islamik është një organizatë e xhihadit islamik, që punon për zbatimin e sistemit islamik dhe krijimin e kalifatit. Ne i respektojmë ata. Nëse na kërkojnë ndihmë, ne do të vendosim”, ka thënë Ehsanullah Ehsan, udhëheqës i grupit Jamat-ul Ahrar.(v.tela)

XS
SM
MD
LG