Ndërlidhjet

Pentagoni konfirmon sulmet e reja në Siri dhe Irak


Ilustrim
Ilustrim

Pentagoni ka konfirmuar të shtunën se ushtria e Shteteve të Bashkuara dhe partnerët e koalicionit kanë kryer sulme të reja kundër caqeve të grupit Shteti Islamik në Siri dhe Irak.

Sulmet kanë goditur disa objektiva në Siri, përfshirë një ndërtesë të Shtetit Islamik dhe dy automjete të armatosura në qytetin e rrethuar Kobane.

Avancimi i xhihadistëve në këtë qytet ka dërguar mbi 160,000 refugjatë në Turqi.

Sulmet në Siri po ashtu kanë goditur qytetet Al-Hasakah, Minbej dhe Raka, ka bërë të ditur Komanda Qendrore e SHBA-së.

Po sipas saj, sulmet janë kryer nga Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara, si dhe nga aeroplanët luftarakë të Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në Irak, ndërkaq, tre sulme ajrore kanë goditur në jugperëndim të qytetit Arbil, duke shkatërruar katër automjete të armatosura.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët arabë kanë filluar sulmet kundër Shtetit Islamik në veri dhe lindje të Sirisë të martën, më shumë se një muaj pasi Uashingtoni ka nisur fushatën e tij ajrore kundër xhihadistëve në Irak.

SHBA-ja ka hezituar të ndërhyjë në Siri, por ka vepruar pasi xhihadistët kanë pushtuar më shumë territore dhe kanë kryer krime të rënda, përfshirë vrasjen e tre pengjeve perëndimore me prerje koke.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik është zgjeruar të premten me Britaninë, Belgjikën dhe Danimarkën, të cilat kanë miratuar planet për t’iu bashkuar sulmeve ajrore në Irak.

XS
SM
MD
LG