Ndërlidhjet

Al Nusra kërcënon me sulme Perëndimin

  • RFE /RL

 Fronti Al-Nusra

Fronti Al-Nusra

Grupi militant sirian, Al Nusra, i ka denoncuar sulmet ajrore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, si “luftë kundër Islamit”.

Në një deklaratë të postuar online, grupi i lidhur me Al Kaidën u ka bërë thirrje xhihadistëve në gjithë botën që të sulmojnë vendet e përfshira perëndimore dhe arabe.

Thirrja vjen pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kanë zgjeruar sulmet ajrore kundër militantëve të Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Koalicioni i rreth 40 vendeve është zotuar se do të shkatërrojë Shtetin Islamik, i cili kontrollon pjesë të mëdha të territorit në verilindje të Sirisë dhe veri të Irakut.

Këto shtete kanë kryer vepra të tmerrshme, që do t’i vënë ato në listën e objektivave xhihadiste në gjithë botën. Kjo nuk është luftë kundër Al Nusras, por luftë kundër Islamit”, ka thënë zëdhënësi i Al Nusras, Abu Firas al-Suri.

Edhe Al Nusra, edhe Shteti Islamik janë pjesë e një rrjeti kompleks të rebelëve që luftojnë në Siri. Shtetet e Bashkuara nuk kanë thënë se Al Nusra është shënjestër e sulmeve të tyre, porse ato janë duke sulmuar një grup më pak të njohur, me emrin Khorasan, i cili dyshohet se është pjesë e Frontit Al Nusra.

Të dielën, aeroplanët luftarakë, të udhëhqur nga Uashingtoni, kanë goditur disa lokacione të naftës në Siri, të pushtuara nga Shteti Islamik. Ky i fundit përdor naftën për të gjeneruar të ardhura për organizimin e militantëve.

Forcat e koalicionit kanë shkatërruar tri rafineri të improvizuara të naftës në qytetin Tal Abjad, pranë kufirit me Turqinë, ka njoftuar Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Shteti Islamik u ka bërë po ashtu thirrje xhihadistëve që të sulmojnë vendet e koalicionit.

Një zëdhënës i Ushtrisë së Lirë Siriane, që i përket opozitës së moderuar, ka thënë se mbështet sulmet ajrore kundër Shteti Islamik, porse kundërshton çdo aksion që shkakton viktima civile.

Hussam al-Mari i ka thënë BBC-së se vendet perëndimore duhet të kryejnë sulme edhe kundër qeverisë në Damask.

“I ashtuquajturi Shtet Islamik është armiku ynë, ashtu si edhe regjimi i presidentit Bashar al-Assad. Ne duam ta çlirojmë Sirinë nga diktatura dhe terrorizmi. Kemi nevojë për mbështetjen e botës së lirë që të vazhdojmë këtë luftë kundër regjimit dhe kundër Shtetit Islamik”, ka thënë al-Mari.

Sulme ajrore në Siri po kryen vetëm SHBA-ja dhe disa vende arabe. Vendet evropiane, deri më tash, janë pajtuar që të sulmojnë caqet e Shtetit Islamik vetëm në Irak, ku qeveria ka kërkuar ndihmë.

Të premten, Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i fundit që i është bashkuar fushatës ajrore në Irak.

Ndërhyrjen ndërkombëtare e kanë nxitur taktikat brutale të grupit, përfshirë vrasjet masive, prerjen e kokave dhe rrëmbimet e anëtarëve të pakicave fetare dhe etnike. Xhihadistët e Shtetit Islamik kanë vrarë dy gazetarë amerikanë me prerje koke si dhe një punëtor britanik të ndihmës.

Ata kanë pushtuar pjesë të mëdha të territoreve në Irak dhe Siri, duke shpallur kalifat në zonat që kontrollojnë.

Duke ndjekur një formë ekstreme të Islamit sunit, Shteti Islamik ka persekutuar jomyslimanët, si dhe myslimanët shiitë, të cilët i konsideron si të pafe.

CIA ka thënë se grupi mund të ketë mbi 31,000 luftëtarë në Irak dhe Siri.(v.tela)

XS
SM
MD
LG