Ndërlidhjet

logo-print

Konsultime pa zgjidhje për kryetarin e Kuvendit


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Dështimi i Kuvendit të Kosovës që në seancën e 18 shtatorit të zgjedhë kryetarin e ri, ka bërë që dy blloqet më të mëdha politike t'i vazhdojnë konsultat e ndara para vazhdimit të kësaj seance të caktuar për 2 tetor.

Gjatë javës së fundit, blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ishte më aktiv në mbajtjen e takimeve. Por ky koalicion nuk ka ofruar asnjë formulë se si do të mund të kandidoj kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, përderisa kryesuesja e seancës ka deklaruar se do ti pranoj vetëm kandidaturat që vijnë nga grupi më i madh parlamentar.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë javës në disa raste e ka përsëritur se pas dështimit të PDK-së që të marrë postin e kryetarit të Kuvendit më 18 shtator, tani koalicioni paszgjedhor duhet ta ketë të drejtën e kandidimit.

"Është e turpshme prej PDK-së dhe prej të gjithëve që janë bërë pjesë e kësaj zvarritje. Ne iu kemi thënë që edhe ky abuzim e ka një kufi. Me gjithë faktin që ne jemi të zgjedhur, jemi në institucione edhe zgjidhjen po e kërkojmë në institucione. Por, nuk mundemi pa kufi t'i presim duke e vazhduar këtë abuzim", ka theksuar Haradinaj.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të mbështetet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas interpretimit të saj, i jep të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit si grupi më i madh parlamentar.

Por, edhe PDK nuk ka dhënë ndonjë sqarim se si do t'i sigurojë 61 votat minimale. Në seancën e fundit më 18 shtator, PDK kishte arritur t'i siguronte vetëm 44 vota për kandidatin e saj.

Zyrtarët e PDK-së gjatë kësaj jave kanë qenë më të heshtur në komunikim me mediat. Përderisa kryeministri në largim dhe lideri i saj, Hashim Thaçi, përmes shkrimeve në rrjetin social Facebook, ka thënë se institucionet e reja do të formohen mbi bazën e vullnetit të shprehur në zgjedhje dhe në harmoni me Kushtetutën.

Nisur nga këto pozicione të kundërta ndërmjet dy blloqeve më të mëdha politike, analisti i Institutit për Politika Zhvillimore- KIPRED, Albert Krasniqi kishte propozuar që PDK të merrte postin e kryetarit të Kuvendit, kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje të riformulojnë marrëveshjen.

"Opsioni më i arsyeshëm kish me qenë që të votohet kandidati i PDK-së për kryetar të Kuvendit. Edhe ashtu kish me qenë mirë për Kosovën që ta ketë një opozitë që do ta kishte kryetarin e kuvendit karshi një qeverie me dy të tretat e votave, që është e rrezikshme sepse çdo qeveri që i ka dy të tretat mund të ketë tendencë të keqpërdorë pushtetin. Kështu që një PDK në opozitë me kryetar të Kuvendit, për Kosovën nuk kishte me qenë e dëmshme dhe do të mund të bënte një mbikëqyrje më të mirë të punës së qeverisë", ka theksuar Krasniqi.

Për riformulimin e marrëveshjes gjatë javës kanë folur edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata u vunë në mbështetje të idesë që LDK, të merrte potin e kryeministrit duke ia lënë PDK-së atë të kryetarit të Kuvendit.

Deklaratat e tilla të disa zyrtarëve të LDK-së, lideri i saj, Isa Mustafa i ka cilësuar si personale duke ua konfirmuar partnerëve të koalicionit se LDK mbetet tek marrëveshja fillestare.

"Ne e kemi një përcaktim që e kemi rikonfirmuar në organet e LDK-së, në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesinë e LDK-së se e kemi arritur një marrëveshje dhe se ne nuk e ndryshojmë marrëveshjen çdo ditë në bazë të ideve të njerëzve. Mirëpo ne nuk e kundërshtojmë që njerëzit japin idetë e tyre. Ne do të vazhdojmë me këtë marrëveshje", ka deklaruar Mustafa.

Ngërçi i krijuar, sipas opinionistëve nuk do të mund të tejkalohet pa një rol më aktiv të faktorit ndërkombëtar. Lidhur me këtë rol, së fundit ka folur Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

"Ndërhyrja e jonë e vetme është rekomandimi për të gjithë që të gjejnë zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur", ka thënë Zbogar. Ai i ka rikujtuar partitë politike që zgjedhjet janë mbajtur më 8 qershor, kurse institucionet e reja nuk janë formuar ende.

Tani mbetet që më 2 tetor të shihet se me çfarë skenarësh do të shkojnë në vazhdimin e seancës konstituive si PDK-ja ashtu edhe koalicioni pas zgjedhor. Mirëpo, vlerësimet e përgjithshme janë se nëse nuk ka një marrëveshje edhe mes këtyre dy blloqeve, zgjidhja do të jetë gati se e paarritshme.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG