Ndërlidhjet

logo-print

Prokurorët: Karaxhiqi ishte “forcë lëvizëse” e pastrimit etnik


Radovan Karaxhiq gjatë procesit në Hagë

Radovan Karaxhiq gjatë procesit në Hagë

Në Gjykatën e Hagës ka filluar seanca e paraqitjes së argumenteve finale në procesin pesëvjeçar kundër ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, që akuzohet për gjenocid dhe krime të luftës.

Prokurorët thanë sot se Karaxhiq ishte “forcë lëvizëse” e pastrimit etnik gjatë luftës civile në Bosnjë dhe se ai është përgjegjës për të “gjitha tragjeditë”.

Prokurorët e Tribunalit të Hagës kanë kërkuar burgim të përjetshëm për Karaxhiqin për krimet e tij të dyshuara, përfshirë edhe masakrën e afro 8 mijë meshkujve dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, në vitin 1995.

Prokurorët kanë vlerësuar se Karaxhiq ishte “lider i lartë politik dhe ushtarak i serbëve të Bosnjës dhe forcave të tyre”, gjatë luftës 1992-95, nga e cila janë vrarë më se 100 mijë njerëz.

Prokurorët, po ashtu, pretendojnë se “nën komandën dhe mbikëqyrjen e tij, bashkëpunëtorët e tij dhe ata që kanë bashkëpunuar me ta, kanë vrarë, torturuar dhe keqtrajtuar në mënyra të tjera, mijëra myslimanë dhe kroatë”.

Radovan Karaxhiq, 69 vjeçar, dhe ish-shefi i tij ushtarak, Ratko Mlladiq, kundër të cilit zhvillohet një proces i ndarë në Hagë, kanë thënë se kanë vepruar për ta mbrojtur popullatën serbe të Bosnjës.

XS
SM
MD
LG