Ndërlidhjet

Huliganizmi po e prish imazhin e futbollit


Tifozë të Kosovës...
Tifozë të Kosovës...

Veprimet e dhunshme dhe huligane të grupeve të tifozëve në disa stadiume në Kosovë, të cilat kanë ndodhur ditët e fundit, nuk janë asgjë e re, sepse të tilla kanë ndodhur edhe më parë, por ato janë tejet shqetësuese dhe të dëmshme për imazhin e sportit ne vend dhe në kundërshtim me ligjin, vlerësojnë përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Ndeshja e fundit ndërmjet Trepçës dhe Prishtinës, në kuadër të kampionatit të futbollit të Kosovës, e cila u luajt në stadiumin Adem Jashari në Mitrovicë, është ndërprerë në minutën e 21-të, për shkak të përleshjes së grupeve të tifozëve të të dyja klubeve, “Torcida” nga Mitrovica dhe “Plisat” nga Prishtina. Për pasojë pati tifoz të lënduar, por edhe të arrestuar nga Policia e Kosovës.

Rreth një javë më parë, Në stadiumin e Prishtinës, në ndeshjen e klubit Prishtina dhe Vllaznimi nga Gjakova, gjithashtu pati përleshje ndërmjet tifozëve “Plisat” dhe tifozëve gjakovarë “Kuqezinjtë nga Jakova”, e cila ndonëse ishte e shkurtër, përfundoi me persona të lënduar.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se huliganizmi në stadiumet e futbollit, por edhe rreth tyre, ende nuk mund të quhet dukuri, por, sipas tij, ngjarjet që po ndodhin viteve të fundit, po shpërfaqin situata që qojnë drejt këtij emërtimi.

“Ky është vetëm tregues se kah po shkon kjo shoqëri, sepsse ata janë fëmij, vetëm 15 ao 16 vjet. Në anën tjetër, si federatë e futbollit, si institucion, ne do t’i kryejmë sanksionet sportive. Por, në çdo vend tjetër – sepse gjithkund ndodh dhe i kemi parë me përmasa shumë më të ashpra –shteti reagon, shteti i merr në pyetje dhe iu shqipton dënimet përkatëse".

"Ne si federatë e futbollit, kemi insistuar që të nxirret ligji për huliganizmin, i cili do t’i qartësonte përgjegjësitë individuale. Prandaj, mbetet së pari, te kryesitë e klubeve, sepse ata e dinë saktë se kush janë personat, të cilët bëjnë probleme dhe duhet të kenë bashkëpunim me policinë lokale, fillimisht”, thotë Salihu.

Salihu shton se edhe në rastet kur policia ka ndaluar personat e caktuar për sjellje huligane, ata janë liruar pa u trajtuar penalisht, pavarësisht se si pas tij, ka pasur edhe sulme ndaj personave zyrtarë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, thonë se detyrë e kësaj policie është sigurimi i perimetrit të jashtëm të stadiumit ku zhvillohet ndeshja, por, sipas tyre, me ftesën e klubeve sigurimi bëhet edhe brenda stadiumeve.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se klubet, të cilat kërkojnë krijimin sigurisë gjatë takimeve sportive, duhet paraprakisht ta in formojnë policinë rreth pritjeve që kanë lidhur me numrin e shikuesve, por edhe për grupet e tifozëve, për të cilat ka indikacione se mund të kenë sjellje të dhunshme.

“Sa herë që policia ka informacione që grupe të tifozëve kanë predispozita që të krijojnë probleme, ata i ndërmarrin masat paraprakisht. Kemi rast, ku pas incidenteve që kanë ndodhur nëpër ndeshje sportive, policia ka arrestuar persona, ka iniciuar lëndën ndaj tyre".

"Ndërsa, çështja e vendosjes së paraburgimit ose e masës së arrestit, është çështje e prokurorisë dhe e gjykatave. Do të thotë, ka mundësi që policia i arreston, inicion lëndën dhe e përgatitë atë, ndërsa prokurori thotë që lënda të shkojë në procedurë të rregullt. Atëherë, kjo nuk është më në domenin e fushëveprimit të policisë”, bën të ditur Sadriu.

Në anën tjetër, në telefonat zyrtar, të klubeve të përfolura, nuk është lajmëruar askush, pavarësisht përpjekjeve për t'i kontaktuar.

Salihu thotë se përveç masave që ndërmerr Federata e Futbollit të Kosovës ndaj klubeve të caktuara, tifozët e të cilëve kanë sjellje të dhunshme, nevojitet edhe intervenimi më i vendosur i organeve të rendit dhe ligjit, për të parandaluar që e gjithë kjo të shndërrohet në dukuri në stadiumet e futbollit.

“Nesër mund të ketë pasoja. Mund të ketë vrasje, ashtu siç ndodhi therrja me thikë. Në ndeshjen Prishtina – Vllaznimi ka ndodhur kjo, jashtë fushës. Dorën ën zemër, nuk është kjo ndonjë dukuri tash, por ne duhet t’i parandalojmë, sepse,po e them shumë hapur, po humbet shikueshmëria. Jo që nuk ka vullnet për t’i shikuar ndeshjet, por nuk ka vullnet që të shihen ata huligan, të cilët jo vetëm sulmojnë, por, në shumë ndeshje, bëjnë sharje e fyerje, që unë nuk i kam dëgjuar në kohën time”, shprehet Salihu.

Zëdhënësi i policisë, Sadriu, thotë se pavarësisht që nuk ekziston ligji për huliganizmin, organet e rendit bazohen në ligjin penal, i cili trajton veprat e caktuara që mund të kryhen nga persona të caktuar gjatë takimeve sportive.

“Ne, zakonisht thirremi në ato vepra penale që dyshohet se janë kryer. Këtu, kryesisht kemi dëmtim të pronës publike, dëmtim të pronës private, sulme, rrahje, prishje e rendit dhe qetësisë publike, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Zakonisht, këto janë vepra penale që kryhen prej grupeve të tifozëve, kur kemi të bëjmë me veprime të kësaj natyre”, thekson Sadriu.

Ndryshe, Salihu ka theksuar se sjelljet huligane të grupeve të caktuara të tifozëve, të cilat janë evidencuar gjatë takimeve në stadiumet e futbollit në Kosovë, do të ndikojnë mjaft në zbehjen e imazhit të futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Për më shumë, sipas tij, elementet e tilla, kanë shërbyer dhe po shërbejnë për Federatën e Sporteve të Serbisë si argumente për t'i ngufatur përpjekjet e Federatës së Futbollit të Kosovës që të bëhet pjesë e barabartë në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA.

XS
SM
MD
LG