Ndërlidhjet

WSJ: Goditja e Kinës në Hong-Kong


Nga protestat në Hong Kong
Nga protestat në Hong Kong

Nëse Kina i ka respektuar përkushtimet politike të bëra para se ta merrte kontrollin në Hong-Kong, nga Britania në vitin 1997, atëherë me gjasë nuk do të kishte protesta në rrugët e qytetit dhe nuk do të kishte goditje nga policia speciale gjatë fundjavës, me përdorim të gazit lotsjellës, piperit në formë spreji dhe të shkopinjve kundër demonstruesve për demokraci, shkruan një fillim të editorialit të saj e përditshmja Wall Street Journal, duke i komentuar veprimet e fundit të Kinës në Hong-Kong.

Gazeta shkruan se qeveria në Pekin, bile edhe në mënyrë më tmerruese për popullin e vet, nuk u është përmbajtur premtimeve dhe ka lejuar ose urdhëruar autoritetet e Hong-Kongut, që t’i sulmojnë studentët dhe shtetasit e tjerë, të cilët kërkonin zgjedhje demokratike në Hong-Kong.

Protestuesit për demokraci ishin aq të mllefosur, sa që mijëra prej tyre e injoruan thirrjen e qeverisë ditën e hënë për tërheqje të bllokadave rrugore në gjithë qytetin.

Të martën në mëngjes, dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë shumë protestues të rinjë, të zemëruar nga aksionet e policisë, prapë e kanë mbushur qendrën e qytetit.

Kur ushtria e Kinës ka hyrë në Hong-Kong, në korrik të vitit 1997, dhe në mënyrë paqësore e ka rimarrë qytetin, pas më se 150 vjetësh të sundimit të Britanisë, ka pasur arsye të shpresohet se Kina do ta plotësoj premtimin e vet për mbajtjen e “një vendi, dy sisteme”, deri në vitin 2047.

Megjithëqë, si Britania, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, ofruan që të jenë garantues të marrëveshjes transitore, ato tash duken më pak të interesuara për këtë përgjegjësi, shkruan Wall Street Journal.

Nga ana tjetër, Hong-Kongu pat filluar ta zhvilloj vetveten si një shoqëri ekonomike energjike, ndërsa Kina kishte shpresuar që këtë ta kopjonte në territorin e vet.

Marrëveshja e nënshkruar nga Britania dhe Kina i lejonte Hong-Kongut ta mbajë ekonominë e tregut të lirë, sistemin juridik me drejtësi të pavarur dhe të drejta të tjera, përfshirë liri civile më të mëdha se sa banorët në tokën kineze, shkruan Wall Street Journal, dhe përkujton se Kina, po ashtu, kishte premtuar zgjedhje të lira për postin e shefit ekzekutiv të Hong-Kongut, në vitin 2017, por në fund të muajit të kaluar, legjislatura e Kinës, pos tjerash, ka bërë thirrje për kufizimin e kandidatëve që do të lejohen të kandidojnë.

Pasi qeveria insiston në kontrollin e procesit nominues, kërkesa e protestuesve për zgjedhje të plota demokratike, duket se ishte anashkaluar, prandaj protestuesit dolën në rrugë.

Presidenti i Kinës, Xi Jinpingg, e ka paraqitur vetveten si lider autokratik, prandaj ai nuk ka treguar se sa larg do të shkonte, nëse forcat për demokraci do të mbesin në pozicionin e tyre.

Ai nuk ka treguar mëshirë kundër separatistëve ujgurë në Xinjiang, dhe e ka bërë të qartë se censorët qeveritarë e kanë ashpërsuar kontrollin ndaj Instagramit dhe programeve të tjera në Internet në Hong-Kong, shkruan Wall Street Journal.

Është vështirë të mos ketë frikë për përsëritjen e goditjes së përgjakshme para 25 vitesh, kundër protestuesve në Sheshin Tiananmen në Pekin, nga e cila ishin vrarë qindra vetë.

Një finale e tillë do të ishte shkatërruese për popullin e Hong-Kongut dhe do ta dëmtonte shumë – e ndoshta edhe do ta shkatërronte – stabilitetin politik në të cilin, për një kohë të gjatë, janë mbështetur korporatat shumëkombëshe, gjatë të bërit biznes atje.

Në fakt, derisa tensionet lidhur me çështjen e zgjedhjeve janë rritur në muajt e fundit, disa korporata në Hong-Kong, që nuk janë të gatshme të ballafaqohen me rrezik, tashmë i kanë lëvizur selitë e tyre në Singapor.

Kriza, po ashtu, i ka shtuar shqetësimet në Tajvan, që është një ishull që vetëqeveriset, e për të cilin qeveria kineze insiston se është provincë e Kinës, që një ditë duhet të ribashkohet me territorin kinez.

Pas asaj që ka ndodhur në Hong-Kong, tajvanezët nuk do të kenë arsye që të besojnë në premtimin e Kinës për “një vend, dy sisteme”, shkruan në fund të editorialit e vet e përditshmja Wall Street Journal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG