Ndërlidhjet

Karaxhiq: “Të gjithë serbët” në Gjykatën e Hagës


Radovan Karaxhiq në Gjykatën e Hagës
Radovan Karaxhiq në Gjykatën e Hagës

Ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiq, e ka filluar deklaratën përmbyllëse në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë, duke thënë se “të gjithë serbët” janë në gjykatë.

“Është populli serb që qëndron i akuzuar”, tha sot Karaxhiq para gjyqtarëve, duke pretenduar se procesi gjyqësor është kundër serbëve.

I akuzuari, Radovan Karxhiq, 69 vjeçar, që ishte president i së vetëshpallurës, Republikë Serbe e Bosnjës, ballafaqohet me 11 akuza për rolin e tij në luftën në Bosnjë, në periudhën 1992-95.

Zoti Karaxhiq, që vetë e udhëheq mbrojtjen e tij në Hagë, i ka hedhur poshtë akuzat për krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, lidhur me masakrën e Srebrenicës, me ç’rast janë vrarë afro 8 mijë burra e djem myslimanë, në muajin korrik të vitit 1995.

Prokurorët e Tribunalit të Hagës kanë kërkuar burgim të përjetshëm për Karaxhiqin.

Prokurori, Alan Tieger, këtë javë ka argumentuar se “politika e pastrimit etnik” është zbuluar në mënyrë të plotë dhe “Karaxhiq në të ishte forcë lëvizëse”.

Pritet që vendimi do të merret brenda disa muajsh.

XS
SM
MD
LG