Ndërlidhjet

Maqedoni: Kontestohet përbërja e Këshillit të Sigurisë


Pamje nga seanca e Këshillit të Sigurisë, Shkup 30 shtator 2014

Pamje nga seanca e Këshillit të Sigurisë, Shkup 30 shtator 2014

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk njeh legjitimitetin e anëtarëve shqiptarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të prezantuar një ditë më parë nga presidenti Gjorgje Ivanov, i cili edhe drejton këtë këshill që shqyrton aspektet e sigurisë, por edhe mund të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme në rast të situatave konfliktuoze.

Qëndrimi i BDI-së, për të mos njohur anëtarët shqiptarë, Flora Kadriu, Naser Sejdini dhe Veli Kreci, bazohet në vendimin e saj për të mos njohur presidentin Ivanov, i cili ishte bojkotuar në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Anëtarët e caktuar nga presidenti Ivanov nuk i përkasin BDI-së, gjë që edhe më shumë e forcon vendimin e partisë së Ali Ahmetit për të mos njohur ata. Nga kjo parti, thonë se ata janë anëtarë të PDSH-së, e cila kishte mbështetur zgjedhjen e Ivanovit në krye të shtetit.

“Sa i përket Këshillit të Sigurisë te presidenti, ne mbetemi në qëndrimin se Ivanovi nuk ka legjitimitetin e shumicës shqiptare. Anëtarët shqiptarë që janë pjesë e Këshillit të sigurisë nuk mund të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve. Ndryshe, BDI-ja si pjesë e koalicionit qeveritar, gjithsesi se do të respektojë Ligjet dhe Kushtetutën aktuale”, thotë Rafis Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë nga radhët e BDI-së.

Nga kabineti i presidentit dhe nga VMRO DPMNE-ja nuk e kanë komentuar qëndrimin e BDI-së, ndërsa njohësit e çështjeve politike nuk përjashtojnë mundësinë që caktimi i anëtarëve shqiptarë pa pëlqimin e BDI-së, të jetë vazhdimësi e politikave të partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, për të ndërmarrë veprime pa konsultuar partnerin shqiptar në Qeveri.

“Në memorien kolektive të shqiptarëve ne mbajmë mend faza kur shqiptarët janë zgjedhur edhe pa vullnetin e shqiptarëve dhe rezultatet nga kjo nuk kanë qenë të mira dhe besoj se edhe ky është një rast i tillë. Nga ana tjetër, BDI-ja hyri në kontest me vetë zgjedhjen dhe procedurën e zgjedhjes së presidentit, kështu që mendoj se ky do të jetë edhe një argument që të insistojë në gjetjen e ndonjë modeli tjetër për zgjedhjen e presidentin, në të ardhmen”, thotë analisti Albert Musliu.

Por, ai vlerëson se vendimi i presidentit për të zgjedhur anëtarë që nuk janë nga radhët e BDI-së, apo të propozuar nga kjo parti, nuk është veprim antikushtetues, pasi askund nuk shkruan se anëtarët duhet të jenë të kësaj partie.

“Sa i përket respektimit të ligjit, Kushtetutës dhe normave ligjore, në rastin konkret nuk ka mundësi të kontestimit të vendimit të presidentit“, vlerëson Musliu, duke mos përjashtuar mundësinë e komplikimit të situatës nëse BDI-ja nuk pranon konkluzionet që mund të miratohen nga këshilli për raste të ndryshme.

Ndryshe, në mbledhjen e parë konstitutive të Këshillit është shqyrtuar situata në vatrat e luftës në Siri dhe Irak dhe me këtë rast këshilli ka dalë me konkluzionin që organet e sigurisë duhet t’i përforcojnë aktivitetet në drejtim të sigurimit dhe paralajmërimit me kohë nga kërcënimet eventuale ndaj sigurisë kombëtare.

XS
SM
MD
LG