Ndërlidhjet

Jeta me 70 euro në muaj


Pensionistët në Prishtinë (Foto nga arkivi)
Pensionistët në Prishtinë (Foto nga arkivi)

Në Kosovë, rreth 7 për qind të popullsisë së përgjithshme e përbëjnë personat e moshës mbi 65 vjeçe. Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, e cila shënohet më 1 tetor, flasin vetë pensionistët, për atë se si ia dalin ata të jetojnë me 70 euro pension të pleqërisë, përkatësisht 140 euro pension për personat kontributdhënësit.

Ajshe Nuhiu, pensioniste, flet për vështirësitë, me të cilat përballet kjo kategori e shoqërisë:

“Shumë vështirë është të jetosh si pensionist, për shkak se pensioni është shumë i ulët. Pensionistët ballafaqohen me gjendje socio-ekonomike dhe shëndetësore shumë të vështirë. Unë jam kryetare e Shoqatës së Grave Pensioniste të Kosovës dhe në bazë të një hulumtimi që e kemi bërë se si ushqehen pensionistët, ka dalë se ato mund të blejnë në treg vetëm vezë, djathë, qumësht, kurse mish shumë pak, për shkak të pamundësisë financiare”.

Edhe Remzie Pireva, e cila ka punuar 44 vjet në Klinikën e Pulomologjisë, tash merr 140 euro pension, për të cilën shumë thotë se është e pamjaftueshme për një jetë të mirë pleqërie.

Shumë njerëz të moshuar marrin pension nga 70 euro, dhe nuk e di si jetojnë. Shumë vështirë. Po ta kishin pensionon më të madh, është diçka tjetër. Unë, personalisht, marr 140 euro pension, pasi që kam punuar si infermiere 44 vjet në Klinikën për sëmundjen e mushkërive”, tregon pensionistja Remzie Pireva.

Sipas hulumtimeve të bëra së fundmi, nga krahasimet e bëra tash me të dhënat e regjistrimeve të mëhershme, thuhet se në Kosovë trendi i personave të moshuar ka shënuar rritje.

Kështu thotë Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar.

Sipas regjistrimit të fundit, në vitin 2011, në Kosovë, gjithsej 6.7 për qind e popullsisë janë të moshës mbi 65 vjeç. Nga krahasimi me të dhënat e regjistrimeve të mëhershme, shihet se edhe në Kosovë trendi i moshimit ka shënuar rritje. Kjo nënkupton se edhe Kosova, ndonëse konsiderohet si vend me popullatën më të re në Evropë, e ka të pashmangshme përballjen me dimensionin e kërkesave dhe nevojave në rritje të popullatës së moshuar”, thotë Ramadani.

Edhe Riza Shala, nënkryetar i Federatës së Sindikatave së të moshuarve të Kosovës, konsideron se gjendja sociale dhe ekonomike e kësaj kategorie nuk është e mirë, ndërkohë që thekson edhe rënien e nivelit të përkujdesjes familjare ndaj anëtarëve të tyre të moshuar.

“Në njëfarë mënyre janë shumë të anashkaluar dhe janë të lënë pasdore, sa që mund të them se shoqëria jonë ndaj personave të moshauar ka bërë aq shumë diskriminim, sa që nuk është parë në asnjë vend të rajonit”, pohon Shala.

Ndryshe, sipas Ramadanit, nga hulumtimi i bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se kujdesi për personat e moshuar duhet të rritet.

“Hulumtimi i vitit 2011 me të moshuarit në Kosovë, dëshmon për një nivel të lartë të varfërisë së vetë-perceptuar në mesin e njerëzve të moshuar rreth 50 për qind, si dhe për prevalencë të lartë të sëmundshmërisë kronike, ku rreth 80 për qind e njerëzve të moshuar raportuan të paktën një sëmundje kronike”.

“Të gjitha të dhënat tregojnë se njerëzit e moshuar kanë nevojë për përkrahje dhe përkujdesje sociale, ekonomike dhe shëndetësore, përfshirë edhe përkujdesjen shtëpiake, që vë theksin në integrimin e komponentit të strehimit, kujdesit shëndetësor dhe kujdesit social”, shton Ramadani.

Sidoqoftë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i personave të moshës mbi 65 vjet, përkatësisht moshës së tretë në botë, është dyfishuar që nga viti 1980, ndërsa pritet që deri në vitin 2050 numri i personave mbi 65 vjet të tejkalojë numrin e fëmijëve deri në 14 vjet.

XS
SM
MD
LG