Ndërlidhjet

logo-print

Moska ia mvesh OSBE-së hetimet për “varreza masive”

  • Claire Bigg

Pjesëtarë të OSBE-së pranë vendit ku pro-rusët thonë se ndodhet një varrezë masive...

Pjesëtarë të OSBE-së pranë vendit ku pro-rusët thonë se ndodhet një varrezë masive...

Mediat shtetërore ruse janë të zëna me akuzat për vrasje dhe përdhunim në grup kundër forcave qeveritare në lindje të Ukrainës.

Akuzat rrjedhin nga Einars Graudins, aktivist politik nga Letonia, i cili, sipas raporteve të mediave ruse, është pjesë e një ekipi të monitoruesve ndërkombëtarë, të dërguar në Ukrainën lindore nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Eksperti i OSBE-së” po ashtu citohet të ketë thënë se qindra trupa janë zhvarrosur nga varrezat masive në rajonin e Donjeckut.

Problemi është se Graudins nuk ka punuar kurrë për OSBE-në.

“Jemi duke kontrolluar identitetin e këtij personi, por, aq sa di në këtë moment, ai nuk është pjesëtar i misionit special monitorues në Ukrainë. Nuk kemi asnjë dëshmi dhe sigurisht se nuk mund t’i konfirmojmë deklaratat e tilla”, ka thënë Natacha Rajakoviq, një zëdhënëse e OSBE-së.

Dega e OSBE-së në Ukrainë më vonë ka konfirmuar se ai “nuk ka asnjë lidhje” me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Graudins ka vizituar varreza, por vetëm në grup prej tetë ekspertësh të të drejtave të njeriut nga vende të ndryshme të Evropës, që kanë shoqëruar vëzhguesit e rregullt të OSBE-së.

I njohur për pikëpamjet pro-ruse dhe antiamerikane, si antiglobalist dhe teoricien i marksizmit, Graudins nuk e fsheh simpatinë e tij për rebelët separatistë.

Kjo nuk i ka ndaluar mediat ruse që të shtrembërojnë komentet e tij, fillimisht të publikuara në të përditshmen "Rossiiskaya Gazeta", gazetë zyrtare e Qeverisë ruse.

Agjencia RIA Novosti, për shembull, ka pasur në titull “Eksperti i OSBE-së: Rreth 400 trupa gjenden në varreza afër Donjeckut”.

Mediat ruse i kanë portretizuar varret e dyshuara masive si dëshmi për “krime lufte”.

Vetë udhëheqësit separatistë kanë konfirmuar zbulimin e vetëm nëntë trupave në varrezat e dyshuara masive.

Në fakt, ajo që Graudins i ka thënë "Rossiiskaya Gazeta"-s është se në morgun e Donjeckut aktualisht ndodhen rreth 400 trupa të paidentifikuar. Ai nuk ka specifikuar prejardhjen e tyre.

Ai po ashtu nuk është në gjendje të ofrojë dëshmi se në fshatin Nizhyaya Krynka të Donjeckut ka pasur varrezë masive. Ai vetëm përmend “erën e padurueshme”, e cila thotë se është provë se “jo të gjitha organet janë marrë nga toka”.

Në Nizhyaya Krynka, ai thotë se fshatarët akuzojnë luftëtarët e batalioneve pro-ukrainase, “Azov” dhe “Donbas” për përdhunimin e secilës grua, përfshirë vajzat e mitura dhe gratë e moshuara.

“Pikëllimi i përjetuar nga këto gra më ka lënë pa fjalë”, citohet të ketë thënë Graudins.

Në një zhvillim të ngjashëm që ilustron “fushatën keqinformuese” të mediave ruse, BBC ka raportuar se një kanal i televizionit shtetëror rus është duke përdorur fotografitë e viktimave nga rrëzimi i aeroplanit malajzian, MH17, për të ilustruar raportet e veta për “varreza masive” në lidnje të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG