Ndërlidhjet

Maqedoni: Shkrimi i drejtë në gjuhën shqipe të mbrohet me ligj


Gabimet në të shkruarit drejt në gjuhën shqipe në letërnjoftimet e Maqedonisë

Gabimet në të shkruarit drejt në gjuhën shqipe në letërnjoftimet e Maqedonisë

Në Maqedoni gjithnjë e më i madh është numri i gabimeve gjatë përkthimeve në gjuhen shqipe, veçanërisht nga ana e institucioneve shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e dygjuhësisë.

Gjuhëtari Fatmir Sulejmani, njëherësh dekan i Fakultetit Filologjik në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT), në kuadër të së cilit institucion funksionon dhe katedra e Gjuhës Shqipe, e vlerëson të pashmangshme nevojën për mbrojtjen ligjore të gjuhës shqipe.

Ai rikujton Ligjin për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, që parasheh gjoba deri në 200 mijë denarë ( rreth 3, 300 euro) për personat juridikë që publikojnë dokumente të shkruara të palekturuara.

Pakkush është i vetëdijshëm se gjuha duhet mbrojtur, meqë përfaqëson tiparin kryesor të identitetit, përfaqëson monumentin më të madh që ne si shqiptarë e kemi trashëguar nga të parët tanë dhe akoma nuk kemi një ligj për mbrojtjen institucionale të gjuhës shqipe, përkatësisht standardit gjuhësor”, thotë Sulejmani.

Ai përmend praktikat e vendeve evropiane, të cilat kanë ligje strikte për mbrojtjen e gjuhës.

Superfuqitë, të cilat akoma ushtrojnë hegjemoninë e tyre, edhe si gjuhë, edhe si kulturë ndaj popujve me numër më të vogël, ata kanë ligje shumë strikte për mbrojtjen e gjuhëve. Ju e dini se çfarë ligjesh rigoroze për mbrojtjen e gjuhës ka Franca, për një mbishkrim i cili mund të jetë i shkruar gabimisht mbi ndonjë dyqan, pos që parashihen gjoba të larta, ekziston mundësia që asaj firme t`i vihet edhe dryni”.

“Nga ana tjetër, rusët së voni, kanë miratuar një ligj, në bazë të së cilit nëse në kuadër të një punimi të magjistraturës apo disertacioni doktorature, në vend të shprehjes adekuate në gjuhën ruse parashihen gjoba nga 1000 deri në 1500 euro, atëhere nëse këto superfuqi gjuhësore, të cilat kanë dhe fond më të madh të librave të shkruara, atëherë si ka mundësi të besojmë se gjuha shqipe do të ruhet vetvetiu nga shtrembërimet e ndryshme të imponuara nga dinamika e kohës”, thekson profesor Sulejmani.

Sipas Sulejmanit derisa gjuha shqipe mbetet e pambrojtur nga dispozitat ligjore, gjithçka varet nga aftësia profesionale, si dhe ndërgjegjja e punonjësve të administratës. Ata çdo ditë ballafaqohen me përkthimin e dokumenteve të ndryshme, duke fokusuar dhe gabimet në letërnjoftimet biometrike të Maqedonisë ku në vend “Numri i letërnjoftimit” shkruan “Numri i letërnjoftim”, si dhe në vend të “Nënshkrimi” është e shkruar “Nëshkrimi”.

Ndërkaq, Dervish Halimi, përkthyes i licencuar, konsideron se në mungesë të mbrojtjes institucionale të gjuhës shqipe, askush nuk mban përgjegjësi për cilësinë e përkthimit, derisa në treg jo rrallëherë i kushtohet kujdes çmimit të përkthimit dhe jo cilësisë.

Tani çdokush, për të siguruar një honorar merr të drejtën për t`u bërë përkthyes. Dhe, më e keqja është se kjo bëhet me angazhimin e vetë ministrive të ndryshme, të cilat në asnjë mënyrë nuk mbajnë llogari për cilësinë e përkthimit, por përkthimin e njoftimeve, qoftë në ueb-faqe ose me shkrim, e bëjnë sa për sy e faqe, të përmbushin një obligim ligjor sa i përket zbatimit të dygjuhësisë”, konsideron Halimi, profesor universitar.

Ai thekson se krahas implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, duhet të ndahen mjete për aftësimin e tyre si përkthyes profesionalë.

“Nevojitet që kjo çështje, në aspektin juridik, duhet të rregullohet në nivel shtetëror, duke themeluar një institut gjuhësor, i cili jo vetëm që do të ndajë licenca për përkthyesit, por paraprakisht t`i sigurohen mjete që të organizojë kurse për gjuhën shqipe dhe më pas këta kuadro të mund të licencohen si lektorë, sepse në administratë nuk nevojiten vetëm përkthyes profesionalë, por edhe lektorë të licencuar”, potencon Halimi.

Ndryshe, edhe kundrejt zotimit të zëvendëskryeministrit përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, për themelimin e një institucioni, i cili do të përkujdesej për kultivimin e gjuhës shqipe dhe përdorimit të drejtë të saj konform standardeve gjuhësore nga ana e institucioneve ende s’është bërë asnjë hap konkret në drejtim të themelimit të këtij institucioni.

Vërejtje të shumta nga intelektualët e pavarur, prindërit madje edhe punonjësit e arsimit, janë theksuar edhe për gabimet e shumta, të cilat janë të pranishme në tekstet shkollore, si pasojë e përkthimit jo cilësorë të këtyre teksteve nga gjuha maqedonase në atë shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG