Ndërlidhjet

Nuk hapet departamenti i gjuhëve sllave


Në vitin akademik 2014-2015, ende nuk është hapur i gjuhëve sllave apo ballkanike, në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ashtu siç ishte premtuar vitin e kaluar nga autoritetet kompetente.

Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Filologjik është thënë se në këtë vit do të hapet një departament i gjuhëve sllave.

Por, arsye e mos realizimit të këtij projekti janë ndërrimet e rektorëve gjatë këtij viti në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", konsideron Nehat Mustafa zëvendësministër në largim i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Mustafa thotë se ende nuk është vendosur se si do të quhet ky departament, gjuhë ballkanike apo sllave, por megjithatë ai shpreson se në vitin e ardhshëm ky departament do të funksionalizohet.

“Orientimet kanë qenë që të quhet departamenti i i gjuhëve sllave, ku viti i parë dhe i dytë ndoshta të jenë të përgjithshme, kurse viti i tretë dhe i katërt të jenë orientime për ata që dëshirojnë të mësojnë më shumë për gjuhën serbe, kroate ose gjuhën boshnjake".

"Pra si ide ka qenë që ai departament të përfshinë gjuhët që kanë të bëjnë me popujt sllav që janë në Ballkan. Mirëpo ka pasur edhe ide të tjera që mos të quhet departamenti i gjuhëve sllave - sllavistika por të quhet departamenti i ballkanistikës”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Edhe ekspertët për çështje të arsimit konsiderojnë se ky projekt duhet të realizohet.

Jonuz Salihaj, vlerëson se hapja e një katedre të tillë është e nevojshme në institucionet publike të arsimit të lartë, duke marrë parasysh se gjuha serbe është edhe gjuhë zyrtare në Kosovë.

“Katedra e gjuhëve sllave ka pasur një traditë dhe mendoj se do të duhet të finalizohej ky projekt, mendoj se kjo katedër gjithsesi duhet të ngrihet dhe të vazhdojë punën".

"Besoj se nuk është në dëm të Kosovës, fundi i fundit gjuha sllave-kroate është gjuhë zyrtare në Kosovë dhe sigurisht që gjuhët sllave do të duhej të zinin një vend në arsimin e lartë publik në Kosovë ", shprehet Salihaj për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë projekt nuk paraqitet problem as gjetja e kuadrove të reja, thotë Nehat Mustafa duke shtuar se shtete në Ballkan kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar.

“Jo nuk kemi problem në këtë drejtim, pasi disa shtete siç është Kroacia, kanë treguar gatishmërinë se nëse ka mungesë të kuadrove për gjuhën kroate, Ministria e Arsimit e këtij shteti është e gatshme që të huazojë kuadro nga atje. Pra nuk është problem kuadri, problem kanë qenë rrethanat që faktikisht ka kaluar Universiteti i Prishtinës gjatë gjithë vitit 2014”, shprehet Salihaj.

Ndryshe, Nehat Mustafa nga Ministria e Arsimit, më herët për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se përveç personave të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, në Ministrinë e Arsimit ka pasur interesim nga intelektualë të vendeve të ndryshme të Serbisë, që të angazhohen në departamentin e gjuhës serbe.

Ndërkaq, eksperti për çështje të arsimit Jonuz Salihaj, thotë se patjetër duhet të krijohet një strategji për kuadro të reja.

“Për fat të keq, shumica e cilësore e kuadrove tashmë janë në pension, por do të mund të gjinden në rrethinë, pse jo edhe jashtë Kosovës, për shembull në Maqedoni dhe Serbinë Lindore".

"Normalisht se ky numër i kuadrove është i limituar sepse gjuhët sllave nuk janë atraktive, pasi tashmë dominon gjuha angleze dhe ajo gjermane. Por, megjithatë sa për fillim ka kuadro dhe më pas një strategji për krijimin e kuadrove të reja do të ishte patjetër e domosdoshme për të ardhmen”, thekson Salihaj.

Sidoqoftë, studentët e komunitetit serb studiojnë në Universitetin e Mitrovicës. Ky universitet në Kosovë vepron në përputhje me legjislacionin dhe plan-programet e Qeverisë serbe.

Pakoja e Ahtisarit parasheh që ky institucion i lartë arsimor të jetë autonom, por statuti i tij të jetë konform legjislacionit kosovar.

XS
SM
MD
LG