Ndërlidhjet

logo-print

Shqipëri: Debat për çmimin e energjisë elektrike


Ilustrim

Ilustrim

Çmimi i energjisë elektrike vazhdon të ngjallë debate në Shqipëri. Pas FMN-së, që i ka rekomanduar Qeverisë shqiptare të rrisë çmimin e energjisë elektrike, ka qenë edhe Komiteti Evropian i Energjisë, që ka deklaruar se çmimi i energjisë në Shqipëri, është nën koston e prodhimit, ndaj duhet të rritet.

Qeveria shqiptare ende nuk është shprehur qartë për vendimin e saj, por i ka çuar rekomandime Entit Rregullator, i cili në muajin dhjetor do të marrë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë.

“Do të kemi ndryshim të çmimit të energjisë elektrike”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj. Ai ka shtuar se ndryshimi i çmimit, nuk do t’i prekë shtresat në nevojë.

”Nuk është problem nëse rritet ose jo çmimi, por ndryshim i tij do të vijë si rrjedhojë e ndërhyrjeve drastike dhe reformës në sektorin energjetik”, ka thënë Ahmetaj.

Në Shqipëri mbi 40 për qind e energjisë elektrike ka humbje në rrjet, si pasojë e amortizimit të infastrukturës dhe linjave të shpërndarjes së rrymës.

Çmimi mesatar i energjisë elektrike është 9.53 lekë për kilovat/orë. Për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 300 kw, çmimi është 7.7 lekë. Ndërsa, për ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 300 kw , çmimi është 13.5 lekë për kw/orë.

Gjatë 23 vjetëve të tranziciont, sektori energjetik ka qenë ndër më problematikët në Shqipëri.

Pavarësisht se të dy krahët e politikës akuzojnë njëri-tjetrin për situatën e këtij sektori, si mazhoranca edhe pakica, pajtohen se ky sektor është në prag të falimentimit dhe se ka nevojë për reformë të thellë e të menjëhershme.

XS
SM
MD
LG