Ndërlidhjet

Maqedoni: Promovimi i tolerancës nëpërmjet projekteve


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Misioni i OSBE-së dhe Ambasada e Zvicrës në Shkup, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, në më shumë shkolla të Maqedonisë është duke realizuar projektin “Ndërtojmë ura”.

Përmes këtij projekti synohet promovimi i tolerancës etnike dhe fetare, si vlerë, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet nxënësve të etniteteve të ndryshme në kuadër të arsimit të integruar, si një shtyllë bazë për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë multi-etnike.

Ambasadori i OSBE-së në Shkup, Ralf Breth, gjatë prezantimit të projektit në fjalë në një shkollë të Shkupit, ka sqaruar se përmes fondit të ndarë enkas për projektin “Ndërtojmë ura”, komunave të Maqedonisë u ofrohen grande që në bashkëpunim me shkollat të organizojnë aktivitete të ndryshme në lëmin e arsimit, kulturës dhe sportit.

Këto projekte kërkojnë përfshirje për nxënësit e të gjitha komuniteteve për të intensifikuar komunikimin, mirëkuptimin, miqësinë dhe mbi të gjitha, kultivojnë frymën e tolerancës.

“Gjeneratat e reja kanë nevojë për ndërtimin e urave deri te njëri-tjetri duke pasur qasje në begatitë që ofron diversiteti dhe kjo duhet të fillojë të promovohet veçanërisht në shkolla, të cilat janë të obliguara t`i aftësojnë gjeneratat e reja për një të ardhme të integruar në Evropën, që funksionon në bazë të kultivimit të dallimeve”, ka thënë Breth.

Ai ka shprehur shqetësim për vazhdimin e një trendi që çon kah ndarjet si dhe krijimi i shoqërive paralele.

Por, Vllado Dimoski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, konsideron se autoritetet politike shumë pak punojnë në drejtim të afrimit të nxënësve të etniteteve të ndryshme, duke theksuar se pikërisht bashkëpunimi dhe njohja mes tyre ndihmon në uljen e tensioneve dhe dhunës, që është e pranishme kohën e fundit në shumë shkolla të vendit, por edhe në rrugët e qytetit apo në stadiumet sportive.

“Nëse do të kishim një sistem të mirëfilltë arsimor, ku kuadri mësimdhënës do të kryente punën me përkushtim përmes programeve të shëndosha arsimore, të cilat ofrojnë një të ardhme të sigurt për gjeneratat e reja, sigurisht se nuk do të kishim problem të këtilla”, ka vlerësuar Dimoski, duke shtuar se frustrimi i nxitur nga mungesa e perspektivës së të rinjve, jo rrallë reflektohet në dhunë.

Nga ana tjetër, Kadri Agushi, drejtor i Shkollës Fillore “Ismail Qemajli” në Shkup, në kuadër të së cilës funksionon projekti “Ndërtojmë ura”, ka theksuar se fëmijët, për dallim nga të rriturit, janë të prirë që më shumë të fokusohen në gjetjen e pikave të përbashkëta sesa dallimet.

“Besoni se nëse porosia e fëmijëve përcillet, përkatësisht kuptohet edhe nga të rriturit, siç arrijnë ta kuptojnë ata, besoni se edhe shoqëria do të ishte shumë më e mirë, ngase fëmijët janë të çliruar nga, të themi kushtimisht ‘prangat e paragjykimeve’ dhe shumë shpejt arrijnë të krijojnë një komunikim të frytshëm qoftë gjatë punës, detyrave që u jepen apo argëtimit”, është shprehur Agushi.

Por, sipas Dimoskit, sistemi arsimor në Maqedoni, gjithnjë e më shumë çon kah ndarja, duke realizuar mësim për etnitete të ndryshme në ndërrime të ndryshme, përkatësisht në objekte krejtësisht të ndara për dallim nga ajo që angazhohet në vazhdimësi komuniteti ndërkombëtar përmes projekteve.

“Atë që ne, si sektor civil, synojmë ta realizojmë në shkolla, sa i përket arsimit të integruar, mbështetet nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare, ndërkohë që kjo është detyrë e Ministrisë së Arsimit, e cila duhet të angazhohet me veprime konkrete dhe jo strategji kombëtare, të cilat figurojnë vetëm në letër”, ka shtuar Dimovski.

Ndryshe, sipas të dhënave të Komiteti të Helsinkit në Shkup, prezantuar gjatë kësaj vere, brenda një viti janë regjistruar 175 raste dhune, pjesa më e madhe e tyre, 128 raste, janë si pasojë e mostolerancës ndëretnike dhe asaj ndërfetare, ku zakonisht janë të përfshirë persona të mitur.

XS
SM
MD
LG