Ndërlidhjet

Palestinezët e përshëndesin deklaratën suedeze, SHBA kërkon kujdes


Saeb Erakat e ka përshëndetur vendimin e Suedisë për njohjen e shtetit palestinez
Saeb Erakat e ka përshëndetur vendimin e Suedisë për njohjen e shtetit palestinez

Zyrtari i lartë palestinez, Saeb Erakat, tha se vendimi i Suedisë për ta njohur shtetin palestinez, ishte “i guximshëm”, por Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar kujdes.

Zoti Erakat tha se “ne e përshëndesim deklaratën e kryeministrit të Suedisë”, dhe u ka bërë thirrje shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, që ta ndjekin këtë shembull.

Dje, kryeministri i ri i Suedisë, Stefan Loevfen, gjatë fjalimit inaugurues të tij në Parlament, tha se “zgjidhja me dy shtete kërkon njohje reciproke dhe vullnetin për të bashkekzistuar paqësisht”.

Kjo lëvizje do ta bëjë Suedinë vendin e parë evropian, që do ta njohë shtetin palestinez, derisa është edhe anëtare e Bashkimit Evropian.

Disa shtete, siç janë Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, e kanë njohur shtetin palestinez, por këtë e kanë bërë para se të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen se njohja e shtetit të ri palestinez, do të ishte “e parakoshme”.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki, e pyetur për vendimin e Suedisë, u tha mbrëmë reporterëve se “ne besojmë se njohja ndërkombëtare e shtetit palestinez është e parakohshme”.

XS
SM
MD
LG