Ndërlidhjet

Hapësirat jashtë spitaleve, të pandriçuara


Prishtina në mbrëmje...
Prishtina në mbrëmje...

Në hapësirën e jashtme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, mungon ndriçimi. Kjo po shkakton telashe te pacientët apo edhe familjarët e tyre, në rastet e vizitave në ndonjërën nga klinikat brenda këtij institucioni.

Një familjare e një pacienti flet për këtë çështje, duke u ankuar se në mungesë ndriçimi, është pothuajse e pamundur të lëvizësh lirshëm, duke përmendur edhe qentë endacak që paraqesin rrezik të madh.

Adelina Limani, e ka babanë të shtrirë në njërin nga klinikat brenda QKUK-së...

"Kam pasur rastin të shkoj natën në spital, pasi që shpesh më është dashur ta vizitoj babanë e shtrirë aty, qoftë për t'i dërguar ilaçet që kanë munguar, apo edhe për ta vizituar. Por mungesa e ndriçimit është me të vërtetë e tmerrshme. Duket vend shumë i frikshëm, ka shumë qenë, që mendoj se janë rreziku më i madh për njerëzit që enden aty për nevoja të ndryshme spitalore e edhe raste urgjente", thotë Limani për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK thotë se njëra nga prioritetet e drejtorisë së përgjithshme të këtij institucioni është edhe rregullimi i ndriçimit të jashtëm.

"Është njëra prej prioriteteve të drejtorisë së QKUK-së. Në ditët në vazhdim do të kërkojë një takim me shërbimet teknike dhe do ta kemi parasysh që do të reagojnë dhe pacientët do ta kenë më të lehtë kur ka drita".

"Ne i kemi kushtuar rëndësi ndriçimit të brendshëm pasi që ekipet teknike e kanë të pamundur të ndërhyjë në shtyllat elektrike, dhe do të kërkojmë ndihme nga organet kompetente. Pas ndihmës që do të kemi , besoj se pacientët do ta kenë më të lehtë", thekson Fazliu.

Por, në Kuvendin Komunal të Prishtinës thonë se edhe pse ky institucion pritet të zgjerojë ndriçimin në Prishtinë për 27 kilometra rrugë, nuk është kompetencë e tyre që të mirëmbajë ndriçimin e jashtëm të QKUK-së.

"Komuna e Prishtinës pritet të zgjerojë ndriçimin në rrugët e Prishtinës 27 kilometra rrugë. Po ashtu jemi duke bërë ndriçimin led. Po ashtu kemi projekte që gjatë vitit do të mbajnë ndriçimin ekzistues dhe ato që do t'i vendosë".

"Sa i përket Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Komuna e Prishtinës nuk ka kompetencë që të përmirësojë ndriçimin në atë pjesë por niveli qendror duhet të merret me këtë punë", thotë Fitore Pacolli, zyrtare në këtë institucion.

Derisa Islam Krasniqi, drejtor i shërbimeve teknike thotë se nuk kanë kushte për rregullimin e ndriçimit të jashtëm, megjithëse është kompetencë e tyre.

"Kompetenca është e shërbimeve teknike, por nuk kemi material, mungojnë dritat, mungon materiali teknik. Është shpallur tenderi , por është anuluar dhe kjo ka ndodhur qe disa herë", bën të ditur Krasniqi.

XS
SM
MD
LG