Ndërlidhjet

Tartarët në Krime ankohen për keqtrajtim dhe frikësim


Dy të rinj tartarë të Krimesë me forcë janë detyruar të futen në një makinë, në një mbrëmje të javës së kaluar.

Aktivistët thonë se rrëmbimet janë vetëm një pjesë e represionit kundër tartarëve të Krimesë, të cilët e kundërshtojnë aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, që u bë në muajin mars të këtij viti.

Në një mbrëmje vjeshtore në rrugën ndërmjet Simferopolit dhe Belogorskut, një makinë e bardhë ishte ndalur afër dy të rinjve tartarë të Krimesë, që ecnin në rrugë.

Disa njerëz të panjohur, që dolën nga vetura, me forcë i futën në makinë të riun 18 vjeçar, Islyam Dzheparov, dhe 23 vjeçarin Dzhebdet Islyamov.

Makina menjëherë ka lëvizur, dhe prej atëherë dy të rinjtë nuk janë parë.

Rrëmbimi i tyre, që ka ndodhur më 27 shtator, ishte vetëm një rast në vargun e incidenteve të keqtrajtimit dhe frikësimit kundër komunitetit tartar në Krime, prej se Rusia e ka aneksuar këtë gadishull nga Ukraina në muajin mars.

Në fushatë përfshihen masa juridike dhe jashtëgjyqësore, që përbëhen nga keqtrajtimet e vogla, e deri te torturat dhe vrasjet, thonë aktivistët.

Pos, rrëmbimeve, ka pasur edhe bastisje nëpër xhami, raste penale kundër liderëve tartarë, dhe moslejim i personaliteteve të njohura, siç është Mustafa Dzhemilev, që të hyjnë në këtë territor.

Mustafa Asaba është kryesues i Këshillit rajonal të tartarëve të Krimesë në qytetin Belogorsk. Lidhur me rastin e rrëmbimit të dy të rinjve, ai thotë:

“Ajo që ka ndodhur është ekstremisht e keqe. Mendoj se është krejtësisht e tmerrshme. Nëse dikush ka pasur pyetje për këta njerëz të rinj ose diçka të ngjashme, ekzistojnë organet zyrtare, pastaj policia. Ata kanë mund të ftohen për tu marrë në pyetje”, thotë Asaba.

Afroi 150 banorë lokalë në Belogorsk, një qytet i përzier etnikisht, që është 40 kilometra në verilindje të Simferopolit, janë mbledhur më 29 shtator për tu lutur për dy të rinjtë dhe të kërkojnë që autoritetet të zhvillojnë hetime për këtë rast.

Dega e Komitetit të Hetimeve të Rusisë në Krime ka shpallur po atë ditë, se i ka filluar hetimet për zhdukjen e djemve.

“Ky është sulm kundër tartarëve të Krimesë” tha një aktivist në tubimin e mbajtur në Belogorsk. Sipas tij, faji i vetëm i tyre është se “janë tartarë të Krimesë dhe myslimanë”. “Nuk shoh kurrfarë motivi tjetër këtu” , tha ky aktivist dhe ka shtuar se “ata dëshirojnë të na frikësojnë dhe të na mbështesin për muri”.

Në muajin maj, katër aktivistë tartarë, Leonid Korzh, Timur Shaimardanov, Vasily Chernysh dhe Seiran Zinedinov, po ashtu janë zhdukur pa gjurmë.

Të afërmit e tyre pretendojnë se ata ishin rrëmbyer nga agjentët e sigurimit rus. Autoritetet aktuale në Krime, që është një rajon i Ukrainës në Detin e Zi, i aneksuar nga Rusia në muajin mars, nuk u janë përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme për informacione.

Më 16 mars, tartari i Krimesë, Reshat Ametov, është gjetur i vrarë pasi ishte zhdukur gjatë një proteste në Simferopol më 3 mars, sipas organizatës, Human Rights Watch.

Në trupin e tij të pajetë janë parë “shenja të vdekjes së dhunshme” ka raportuar kjo organizatë, duke thënë se “klima e anarkisë është e përhapur në Krime”.

Kur Rusia e aneksoi Krimenë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka shprehur përkushtim për afrim me tartarët e Krimesë, të cilët ishin deportuar brutalisht nga gadishulli me urdhër të Josef Stalinit, në vitin 1944, dhe ishin lejuar të kththen në ditët e fundit të ish-Bashkimit Sovjetik.

Në muajt menjëherë pas aneksimit të Krimesë, tartarët i ishin nënshtruar një presioni gradual të autoriteteve në Krime.

Lideri i tyre, Mustafa Dzhemilev, nuk është lejuar të kthehet në gadishull.

Djali i tij është arrestuar dhe është dërguar në Rusi, i akuzuar për vrasje dhe posedim të armatimit.

Muajin e kaluar, përfaqësuesi tartar në Këshillin e qytetit Simferopol, ishte bastisur nga policia dhe nga persona të maskuar e të armatosur.

Tartarëve të tjerë të Krimesë u janë kontrolluar shtëpitë dhe zyrat.

Përfaqësuesit e tartarëve të Krimesë janë parandaluar nga autoritetet e Rusisë, që të merrnin pjesë në Konferencën Botërore të Popujve Indigjenë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.

Rusia, po ashtu, kishte protestuar kundër pjesëmarrjes së liderëve tartarë në këtë konferencë, Mustafa Dzhemilev dhe Refat Chubarov.

Më 21 shtator gazeta Kommersant e ka publikuar një intervistë me shefin faktik të Krimesë, Sergei Aksyonov, ku ai i akuzon tartarët e Krimesë se “moralisht i keqtrajtojnë rusët” duke i përkujtuar deportimet e vitit 1944, dhe është kërcënuar se ata mund të dëbohen përsëri nëse “i nxisin njerëzit kundër njëri-tjetrit në baza ndëretnike”.

Komisionari për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muiznieks, për këtë çështje ka folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e njohur me shkurtesën PACE, më 1 tetor.

“Sinqerisht, shqetësimi im më i madh është situata e tartarëve të Krimesë, popullatë me një histori shumë tragjike. Është një nevojë urgjente për forcimin e ndjenjës së tyre të sigurisë, e cila është shkatërruar nga një seri e bastisjeve nga persona të armatosur, nga persona të maskuar të sigurisë në institucionet fetare, në shkolla, në bizneset e tartarëve, në shtëpitë private, dhe në asamblenë e tyre. Tash, tartarët e Krimesë nuk kanë histori të dhunës apo ekstremizmit dhe bastisjet janë krejtësisht joproporcionale dhe duhet të ndalen”, tha Nils Muiznieks.

Lideri i tartarëve të Krimesë, Dzhemilev ka thënë më 1 tetor se “kombi tartar në Krime tash është në pozitën më të komplikuar dhe të rrezikshme prej se ka folur kundër okupimit ilegal” të Krimesë nga Rusia. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG