Ndërlidhjet

WP: Duke paguar për luftërat kundër IS-it, Ebolës, e më tepër


Çmimi i operacionit të ri ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Siri, tashmë i është afruar një miliardi, sipas një studimi të publikuar javën e kaluar, shkruan në fillim të editorialit të vet, e përditshmja Washington Post, dhe përkujton se Pentagoni, njëherësh, e ka lansuar misionin prej 750 milionë dollarësh në Afrikë, për luftimin e sëmundjes Ebola, dhe është përkushtuar për rotacion të trupave amerikane nëpër vendet anëtare të NATO-s, në kufi me Rusinë.

Të gjitha këto janë nisma të justifikueshme me mbështetje të gjërë nga Kongresi dhe opinioni. Por, themeli buxhetor i nevojshëm për t’i mbështetur ato, është copëtuar, shkruan Washington Post.

Ndryshimi i shpejtë i presidentit Obama nga politika e tij e përfundimit të angazhimeve të jashtme ushtarake amerikane, po bëhet pas viteve të shkurtimeve të gjëra në buxhetin e mbrojtjes.

Prej vitit 2010, shpenzimet e mbrojtjes realisht kanë rënë për 21%, sipas Qendrës për Vlerësime Strategjike dhe Buxhetore, që javën e kaluar, po ashtu, e ka paraqitur një studim për çmimin e luftës.

Ushtria i ka shpallur planet për reduktimin e madhësisë së saj në nivelin më të ulët prej Luftës së Dytë Botërore, derisa Marina është në rrugën e saj për të pasur numrin më të vogël të anijeve në një shekull.

Shkurtime të tjera më të mëdha janë mandatuar me planin fiskal, që kaloi në Kongres në vitin 2011, i cili do t’i reduktoj shkurtimet e Pentagonit gjatë një dekade deri në 1,000 miliard, nga ajo që ishte propozuar nga Robert Gates, kur ai ishte sekretar i mbrojtjes, shkruan e përditshmja Washinton Post.

Në periudhë afatshkurtër, lufta e re kundër Shtetit Islamik dhe misioni Ebola në Afrikën Perëndimore, do të mbulohen nga fondi që Kongresi e dedikon për çdo vit për “operacionet e paparashikuara tejoqeanike”.

Por, edhe ky buxhet është nën presion: kërkesa origjinale e Departamentit të mbrojtjes për 58.6 miliardë dollarë për vitin fiskal që fillon më 1 tetor, është zvogëluar për 25% nga viti që posa ka përfunduar.

Realiteti i pamohueshëm, siç ka konkluduar aktualisht një komision dypartiak i krijuar nga Kongresi, është se plani buxhetor 2011 ishte “hap serioz i gabuar strategjik”, i cili e ka penguar aftësinë e Pentagonit për përgjigje ndaj krizave të shumëfishta ndërkombëtare të këtij viti.

Problemi vetëm se do të përkeqësohet derisa lufta kundër Shtetit Islamik, për të cilën Obama dhe liderët ushtarakë kanë thënë se me gjasë do të zgjasë me vite, po thellohet.

Studimi i javës së kaluar ka vlerësuar se “operacionet ajrore me intensitet më të ulët” në Irak dhe Siri, së bashku me 2 mijë pjesëtarët në terren, mund të kushtojnë prej 2.4 e deri në 3.8 miliardë dollarë gjatë vitit, dhe se çmimi mund ta kaloj shumën 20 miliardë dollarë, nëse luftimet intensifikohen dhe nëse është i nevojshëm kontigjent më i madh në terren, shkruan Washington Post.

Disa prej çmimeve të luftës mund të mbulohen nëse Kongresi është në rrugën e pranimit të ndryshimit të thjeshtë dhe të ndjenjës së përbashkët në shpenzimet për përkujdesje shëndetësore dhe çmime të pensionimit, që administrata Obama i ka propozuar shumë herë, së bashku me mbylljen e bazave dhe shkurtimeve në forcën punuese civile dhe të kontraktorëve.

Por, bile edhe një përfundim i oportunizmit dypartiak politik, që i parandalon reformat e tilla, do ta lë Pentagonin me mungesë fondesh në vlerë prej qindra miliarda dollarësh, gjatë viteve të ardhshme.

Kongresi duhet t'u përmbahet rekomandimeve të panelit Kombëtar të Mbrojtjes dhe ta ripërtërijë buxhetin e mbrojtjes në nivelet që zoti Gates i rekomandoi në vitin 2011.

Atëherë, do të siguroheshin të ardhurat për mbulimin e këtyre shpenzimeve dhe ato të luftës së re.

Një pjesë substanciale e problemeve fiskale me të cilat ballafaqohet Amerika, janë shkaktuar nga zgjedhja e Kongresit për të autorizuar më tepër se 300 mijë miliardë dollarë për shpenzime të luftës në Irak dhe Afganistan, pa i rritur të ardhurat ose pa i bërë shkurtimet kompenzuese buxhetore.

Ky gabim nuk duhet të përsëritet, shkruan në fund të editorialit të vet, e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG