Ndërlidhjet

Maqedoni: Masa të reja ligjore për sigurinë në punë


Ilustrim
Ilustrim

Dikasteri i punës dhe politikës sociale në Maqedoni synon që përmes ndryshimeve në ligjin për siguri në vendin e punës, të fuqizojë ndikimin e sindikatës në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, duke paraparë gjoba në vlerë prej 8 mijë euro për punëdhënësit të cilët do të shkelin të drejat e punëtorëve në aspektin e sigurisë.

Zdravko Savevski nga lëvizja majtiste SOLIDARNOST, e cila në fokus ka mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, konsideron se këto ndryshime në jë mënyrë paraqesin, siç shprehet, një “ogur të mbarë” në drejtim të sigurimit të një statusi që garanton kushte minimale për punëtorët në vendin e punës, por sipas tij edhe më tej mbetet problemi i zbatimit në praktikë të regullativës ligjore që rregullon këtë cështje.

“Institucionet të cilat janë përgjegjëse për inspektimin e zbatimit të ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtoreve, përkatësisht sigurinë në vendin e punës, duhet të angazhohen më shumë në sanksionimin e atyre kompanive, qofshin private apo shtetërore të cilat shkelin të drejtat e punëtorëve në praktikë”, thekson Zdravko Saveski.

Por, Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, është zotuar se me ndryshimet në ligjin për siguri dhe shëndet në punë, do të rritet niveli i sigurisë për çdo vend të punës, me atë që punëdhënësit do të obligohen të përpilojnë deklaratë për siguri konform standardeve të cilat vlejnë për vendet e zhvilluara evropiane.

“Çdo punëtor duhet të gëzojë të drejtën themelore, përkatësisht të ndjehet i sigurtë në vendin e punës. Me këto ndryshime mundësohet që sindikata të ketë qasje të drejtpërdrejtë në vërtetimin e mangësive dhe përmirësimin e kushteve për punë. Njëherësh, punëdhënësi duhet të konsultohet me përfaqësuesit e sindikatës gjatë furnizimit me pajisje të reja, përkatësisht gjatë aplikimit të teknologjise së re në vende të caktuara të punës”, ka sqaruar ministri Spasov, duke theksuar se në këtë mënyrë punëtorët marrin një rol të rëndësishëm në politikat e oganizatave të ndryshme, si në sektorin privat ashtu dhe atë shtetëror.

Por, me këtë nuk pajtohet Zdravko Saveski, sipas të cilit punëtorët në Maqedoni, shumë pak janë të informuar me të drejat e tyre.

“Punëdhënësit në Maqedoni, gjatë vrapit për të siguruar sa më shumë profit, ndoshta duket se shprehem vrazhdë, por ata shkelin pjesën më të madhe të të drejtave të punëtorëve, dhe nga ana tjetër punëtorët nuk u kundërvihen kësaj situate për shumë arsye, përfshirë këtu mosnjohjen me të drejat e tyre, mos reagimin e inspektoratit për punë”, thekson Saveski.

Nga ana tjetër, Artan Sadiku, aktivist për të drejtat e punëtorëve thotë se jo rallë herë pronarët e kompanive, të cilët shkelin të drejtat e punëtorëve, shihen përmes gishtërinjëve si pasojë e privilegjeve të caktuara që ata u sigurojnë figurave politike, të cilat janë pjesë e pushtetit.

“Vitin e kaluar ne kërkuam nga ministria e Punës dhe Politikës Sociale për numrin e punëdhënësve të dënuar, të cilët nuk kanë respektuar dhënien e pagës minimale në Maqedoni, dhe raporti të cilin morrëm tregon se asnjë punëdhënës nuk është dënuar për këtë çështje gjatë vitit 2012, pra për mos respektimin e pagës minimale”, nënvizon Artan Sadiku.

Ndryshe, me propozim - ligjin për siguri në vendin e punës parashihet mbrojtje ligjore edhe për studentët gjatë kryerjes së punës praktike, veçanërisht në vende të cilat kanë një shkallë të ulët të sigurisë, siç është puna në miniera.

Gjatë vitit të kaluar në Maqedoni, 16 punëtorë kanë humbur jetën e tyre në vedin e punës, kurse në vitin 2012, të vdekur kanë mbetur 13 persona.

XS
SM
MD
LG