Ndërlidhjet

Asnjë lëvizje për tejkalimin e krizës


Ilustrim
Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga sërish nuk ka marrë ndonjë zotim të liderëve të partive politike se janë të gatshëm të gjejnë zgjidhje për krizën institucionale në vend.

Jahjaga, takoi ndaras liderët dhe përfaqësuesit e partive parlamentare, por ngjashëm me takimet e kaluara, edhe sot të dy blloqet më të mëdha politike në Kuvend mbrojtën pozicionet e tyre fillestare.

Kryeministri në largim dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka ripërsëritur se partia e tij kërkon që institucionet e reja të formohen në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai e ka përjashtuar mundësinë që PDK të merr pjesë në seancën e thirrur nga blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, duke thënë se të drejtën e thirrjes së seancës e ka vetëm kryesuesja, deputetja më e vjetër, Flora Brovina.

“Qëndrimi i PDK-së është qëndrim tanimë i njohur. Respektimi i plotë i vullnetit të qytetarëve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Edhe sot ftoj spektrin politik që të reflektojë e të kupton që marrëveshja arrihet përmes komunikimit. Ne marrim pjesë në seanca që janë zyrtare dhe kushtetuese, ndërsa në seanca që nuk janë zyrtare nuk marrim pjesë”, ka thënë Thaçi.

Më pas, presidentja Jahjaga ka pritur ndaras edhe liderët dhe përfaqësuesit e partive tjera parlamentare.

Njëri nga liderët e bllokut pas zgjedhor, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe i nominuar nga ky koalicion për postin e kryeministrit, ka insistuar në të drejtën që blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje si shumicë parlamentare të marrin nën drejtim kreun e Kuvendit.

Ndërsa e ka mbrojtur të drejtën e deputetëve të këtij blloku për të thirrur seancën e 9 tetorit, Haradinaj nuk ka parë ndonjë arsye që të shkoj në takimet që lideri i PDK-së Thaçi po i fton përmes deklaratave publike.

"Dalja nga kjo gjendje nuk i ndihmojnë anulimi i seancës e as mos-thirrja e seancës. Të enjten do të shkojmë në seancë me rendin e ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por do t’i paraprijmë me një debat", ka thënë Haradinaj.

"Në cilësinë e deputetëve, sipas pikës 127 (aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese) do të shkojmë si deputetë në seancë për të gjetur zgjidhje. Rasti i Thaçit nuk është rast unik, rasti i tij është një lloj monstrumi”, ka thënë Haradinaj.

Krijimi i institucioneve të reja ka ngecur tek posti i kryetarit të Kuvendit. Partia Demokratike te Kosovës si fituese e zgjedhjeve, nuk po arrin të sigurojë shumicën në Kuvend për të marrë këtë post, përderisa blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, pavarësisht që ka krijuar një shumicë parlamentare, nuk po gjen hapësirë kushtetuese për të marrë nën drejtim kreun e Kuvendit.

Marrë parasysh këto pozicione, analistët parashohin se vetëm një marrëveshje mes këtyre dy blloqeve mund të zgjidh krizën e krijuar.

XS
SM
MD
LG